Muça: Duhet sistem kombëtar për identifikimin dhe zhvillimin e talenteve të të rinjve

Eksperti i punësimit Erion Muça, i ftuar në emisionin "Epiqendër" të gazetares Sonila Musai, komentoi rezultatet e Maturës Shtetërore 2026, duke theksuar nevojën për një qasje të re në arsimin parauniversitar dhe zhvillimin e talenteve të nxënësve.

Muça u shpreh se është e domosdoshme që çdo i ri të identifikohet sipas aftësive dhe prirjeve të tij, duke u mbështetur për të zhvilluar dhe promovuar talentin në mënyrë të strukturuar.

Sipas tij, Shqipëria duhet të krijojë një mekanizëm kombëtar që klasifikon dhe orienton të rinjtë drejt fushave të specializimit, me qëllim edhe promovimin e tyre në tregun ndërkombëtar.

Ai theksoi gjithashtu nevojën për ndryshim të filozofisë së mësimdhënies, përmes përfshirjes më të madhe të metodave STEAM, mësimit përmes argëtimit dhe forcimit të këshillimit të karrierës.

Sipas Muçës, identifikimi i prirjeve që në ciklet e para të shkollimit dhe orientimi i duhur profesional janë hapa kyç për përmirësimin e sistemit arsimor dhe rritjen e cilësisë së arsimit në vend.

EMISIONET