Metani: ILD trajtoi mbi 1,600 ankesa në 2025, sfidat kryesore të drejtësisë mbeten vonesat dhe eficienca e sistemit

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, paraqiti përpara Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të Kuvendit të Shqipërisë raportin mbi veprimtarinë e institucionit për vitin 2025. Gjatë raportimit ai prezantoi arritjet kryesore, sfidat dhe problematikat e hasura në ushtrimin e funksioneve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si dhe iu përgjigj pyetjeve dhe interesimit të deputetëve.
Fjala e plotë e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani:
Është kënaqësi t’i paraqes raportin komisionit, jo vetëm për elegancë të një detyrimi kushtetues të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, por edhe si një mundësi shumë e mirë, siç ka qenë këto 6 vite, sa herë ka raportuar Inspektori i Lartë i Drejtësisë për të shkëmbyer mendime edhe me deputetët e nderuar, por edhe për të ndarë sugjerime apo vërejtje për punën që bëhet nga institucionet e drejtësisë. Edhe pse 15 minuta është kufiri i fjalës, mendoj që është një mundësi dhe është mundësia e vetme për të shprehur edhe mendimet që kemi në raport me punën e njëri-tjetrit, besimi që kemi tek puna e njëri-tjetrit dhe respekti që kemi për punën e njëri-tjetrit. Së dyti ju e bëtë prezantimin. Unë shoqërohem në këtë raportim nga sekretarja e përgjithshme Dëshira Pasko, por edhe znj. Pelushi, e cila u zgjodh së fundi zv/inspektore e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Pas 6 vitesh zyra e ka tashmë zv/inspektorin e Lartë të Drejtësisë, si një detyrim ligjor që rrjedh pas plotësimit të disa kritereve që duhet të plotësonte kandidati, kështu që doja t’jua prezantoja zv.inspektoren në këtë kapacitet.
Në paraqitjen e raportit, kam menduar të ndalem në dy aspekte kryesore: së pari, në nivelin e zbatimit të rekomandimeve të Rezolutës së Kuvendit për vitin 2025 dhe masat e ndërmarra nga Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në funksion të përmbushjes së tyre; dhe së dyti, në disa problematika të evidentuara gjatë ushtrimit të veprimtarisë institucionale, të identifikuara përmes ankesave të qytetarëve, hetimeve disiplinore dhe inspektimeve tematike e institucionale të zhvilluara nga zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë përgjatë vitit 2025.
Për Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Kuvendi ka adresuar 8 (tetë) rekomandime për vitin 2025, të cilat lidhen me forcimin e efektivitetit të inspektimeve, monitorimin e zbatimit të rekomandimeve, bashkëpunimin ndërinstitucional, digjitalizimin e proceseve, analizën e ankesave të qytetarëve, komunikimin publik dhe vlerësimin e ndikimit të veprimtarisë inspektuese, e cila zhvillohet nga ana e institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Në analizë të nivelit të zbatimit të tyre, rezulton se të gjitha rekomandimet janë përmbushur, duke u shoqëruar me masa konkrete administrative, organizative dhe rregullatore. Në këtë kuadër, përgjatë vitit 2025, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka miratuar akte të brendshme për monitorimin e rekomandimeve dhe raportimin me tregues të matshëm, ka parashikuar dhe planifikuar kalendarin e zhvillimit te inspektimeve vijuese, si dhe ka forcuar mekanizmat e analizës së problematikave të evidentuara nga ankesat e qytetarëve.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe rekomandimit për bashkëpunimin ndërinstitucional me organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë dhe institucione të tjera, veçanërisht në funksion të aksesit në sistemet elektronike dhe zhvillimit të proceseve të digjitalizimit, duke qenë pjesëmarrës dhe proaktiv në bashkëpunimin me Këshillat dhe me Prokurorin e Përgjithshëm, në lidhje me identifikimin e nevojave dhe ofrimin e të dhënave në lidhje me aksesin e sistemet elektronike të gjykatave dhe prokurorive. Gjithashtu janë ndërmarrë hapa konkretë për krijimin e sistemit të menaxhimit elektronik të çështjeve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, me qëllim rritjen e eficiencës, transparencës dhe gjurmueshmërisë së proceseve të shqyrtimit të ankesave, hetimit dhe inspektimit.
E rëndësishme për t’u theksuar është se në zbatim të rekomandimeve të Kuvendit është forcuar edhe dimensioni analitik i veprimtarisë së institucionit, përmes hartimit të raporteve mbi tematikat e ankesave, si dhe është zgjeruar veprimtaria e komunikimit publik dhe edukimit ligjor. Në të njëjtën kohë, është realizuar analiza përgjithësuese e inspektimeve të kryera gjatë periudhës 2020-2025, e cila ofron një vlerësim të problematikave të evidentuara, ndikimit të rekomandimeve dhe nevojave për zhvillimin e mëtejshëm të veprimtarisë së Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, në përputhje me gjendjen e organizimit dhe funksionimit të pushtetit gjyqësor gjatë kësaj periudhe kohore.
Pra, rekomandimet e lëna nga Kuvendi, jo vetëm që janë përmbushur nga Institucioni i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, por edhe kanë prodhuar përmirësime në procese pune, të cilat nxjerrin më në pah veprimtarinë e ILD-së.
Në këndvështrimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ky raport nuk përbën vetëm një pasqyrë të treguesve sasiorë të veprimtarisë së institucionit, por edhe një mundësi për të vlerësuar funksionimin jo vetëm të mekanizmave të llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së magjistratëve, por edhe efektivitetin, apo cilësinë e funksionimit të pushtetit gjyqësor sot në Shqipëri. Në këtë kuptim, vlerësimi i veprimtarisë së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë gjatë vitit 2025, mendoj se mund dhe duhet të shkojë përtej numrit të ankesave të trajtuara, inspektimeve të zhvilluara, hetimeve, procedimeve disiplinore të filluara, apo masave disiplinore të dhëna ndaj magjistratëve. Edhe pse, edhe në këtë aspekt, puna e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë edhe këtë vit ka rezultate.
Gjatë vitit 2025 janë administruar gjithsej 3.272 ankesa, (1792 të reja dhe 1480 të mbartura), gjysma e të cilave janë shqyrtuar gjatë vitit raportues 2025. Vetëm gjatë vitit 2025 janë trajtuar 1635 ankesa. Numri i ankesave të trajtuara është i lartë, duke treguar se mekanizmi i verifikimit të ankesave dhe të verifikimit të punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve funksionon. Këtu mund të ketë edhe një pikëpyetje apo shqetësim, se numri i akesave të trajtuara është shumë i lartë, në raport me numrin e zhvillimit të hetimeve disiplinore, apo kërkesave për procedim disiplinor. Por, siç e kam theksuar edhe herë tjetër përpara këtij komisioni, raporti ndërmjet numrit të ankesave të trajtuara dhe hetimeve (12), apo procedimeve disiplinore (8), nuk përbën në vetvete një tregues të mosfunksionimit të procesit disiplinor të magjistratëve. Përkundrazi, ky raport evidenton në mënyrë të qartë, se trajtimi i ankesave funksionon më së miri, si një mekanizëm filtrues, apo fazë paraprake e shqyrtimit të pretendimeve ndaj veprimtarisë së magjistratëve, e cila synon të diferencojë ankesat e pabazuara, nga ato që përmbajnë elementë të mjaftueshëm faktikë dhe juridikë për fillimin e hetimit, apo procedimit disiplinor. Shqyrtimi dhe verifikimeve i pretendimeve për rreth 1650 praktika pune të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke u shprehur me vendim të plotë dhe të arsyetuar për këto pretendime, tregojnë se magjistratët e ndjejnë peshën e verifikimit të punës së tyre, në përputhje me protokollin kushtetues dhe ligjin. Është e rëndësishme të theksoj këtu, se hetimi dhe procedimi disiplinor nuk janë emocione të zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, por janë standarde të ndjekura nga dita e 1 (një) e punës, duke ruajtuar të njëjtin parim të të punuarit, me verifikimin e pretendimeve ndaj punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Gjithashtu, në këtë rast vlen të theksohet se standardet e vendosura në ligj për hetimin apo provueshmërinë përgjatë zhvillimit të hetimit apo procedimit disiplinor janë shumë të larta, me qëllim garantimin e të drejtave dhe pavarësisë së magjistratëve. Pra, për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë është i rëndësishëm fakti, që çdo gjyqtar dhe prokuror i Republikës e ka të qartë dhe e ndjen, se puna e tyre kontrollohet, se pretendimet ndaj punës së tyre verifikohen një më një, dhe se askush nuk i ka shpëtuar hetimit, apo procedimit disiplinor, kur e ka merituar atë. Por nga ana tjetër, Inspektorit i Lartë i Drejtësisë respekton protokollin kushtetues, jo si pamundësi, apo si dëshirë për të shmangur nga përgjegjësia magjistratët, por si standard, që ligjvënësi në Shqipëri, por kudo në botën demokratike ka vendosur, për të ruajtur një balancë të drejtë midis pavarësisë dhe përgjegjësisë. Të dhënat tregojnë se sot e 6 vjet, që prej krijimit të kësaj zyre, për rreth 8000 ankesa të trajtuara nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, institucionet që verifikojnë vendimmarrjet e ILD-së, si Këshillat, KPA, apo edhe GJEDNJ, nuk kanë gjetur në asnjë rast, që verifikimi i ankesave apo hetimet e kryera nga ILD, të jenë të paplota, jo profesionale apo me standarde të dyfishta. Sepse, në këndvështrimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, zbatimi rigorozisht i standardeve kushtetuese dhe jo i mendimeve personale profesionale të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, është e vetmja mënyrë për të ngritur një sistem drejtësie të pavarur. Mendoj se ky është kontributi më i mirë, që mund të japë një institucion si Inspektori i Lartë i Drejtësisë.
Në të njëjtën kohë, në këtë aspekt vlen të theksohet se dhe analiza në lidhje me masat disiplinore të propozuara nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, apo të vendosura nga ana e Këshillave, duhet të analizohen apo vlerësohen në frymën e parimit të proporcionalitetit. Masat disiplinore ndaj magjistratëve në radhë të parë kanë për qëllim parandalimin dhe edukimin e magjistratëve dhe jo domosdoshmërisht ndëshkimin maksimal të tyre. Proprozimi i një masë disiplinore nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë bazohet gjithnjë, jo vetëm në kritere objektive lidhur me rëndësinë e shkeljes disiplinore, por edhe mbi baza të individualizmit dhe proporcionalitetit, pra që ndaj magjistratit të jepet ajo masë që është e domosdoshme dhe e dobishme, për arritjen e qëllimit të procedimit disiplinor ndaj tij, në përputhje me shkeljen disiplinore që ka kryer. Për këtë arsye, aplikimi i masave disiplinore më të rënda, nuk është tregues se mekanizmi disiplinor funksionon në mënyrë më të drejtë, apo është më efektiv.
Në analizë të objektit të ankesave, rezulton se shqetësimet kryesore të qytetarëve lidhen me kohëzgjatjen e gjykimeve tej afateve të arsyeshme, zvarritjen e veprimeve hetimore dhe vonesat në arsyetimin e vendimeve gjyqësore. Pretendimet në lidhje me vendimarrje të padrejtë nga ana e gjyqtarëve apo prokurorëve, mbetën një numër i konsiderueshëm i pretendimeve të paraqitura nga ana e qytetarëve, edhe përgjatë vitit 2025. Gjatë vitit 2025, pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, janë depozituar 1792 ankesa. Nga këto: (i) 255 ankesa janë për zvarritje të gjykimit të çështjes ose 14% e totalit të ankesave të hyra në 2025; (ii) 159 ankesa janë për zvarritje të hetimit ose 9% e totalit të ankesave të hyra në 2025; (iii) 462 ankesa janë për vendimmarrje të padrejtë ose 26% e totalit të ankesave të hyra në 2025; si dhe (iv) 110 ankesa janë për vonesa në arsyetimin e vendimeve gjyqësore ose 6% e totalit të ankesave të hyra në 2025.
Një tjetër problematikë me të cilën po ballafaqohen qytetarët sot, është mënyra e zhvillimit të seancave gjyqësore, në kushtet e mungesës së infrastrukturës së nevojshme jo vetëm infrastrukturore, por edhe për respektimin e kërkesave procedurale për zhvillimin e gjykimit me regjistrim audio. Ndërkohë, duke marrë shkas nga disa ankesa, të cilat i janë nënshtruar verifikimit gjatë vitit 2025, por edhe informacionit të paraqitur nga vetë gjykatat e shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, një problematikë e sistemit gjyqësor, sot është produktiviteti dhe efektiviteti i magjistratëve në planifikimin dhe zhvillimin e seancave gjyqësore, si dhe kryerjen e veprimeve të nevojshme procedurale për shmangien e seancave joproduktive gjyqësore. Në të njëjtën kohë, edhe respektimi i rregullave të etikës dhe solemnitetit është në fokus të punës së Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Këto të dhëna kanë rëndësi të veçantë, pasi tregojnë se perceptimi publik mbi sistemin e drejtësisë nuk lidhet vetëm me sjelljen individuale të magjistratëve, por edhe me problematika më të gjera të funksionimit të sistemit të drejtësisë. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre problematikave kanë karakter strukturor dhe tejkalojnë përgjegjësinë individuale disiplinore të magjistratëve. Për këtë arsye, vlerësoj se mekanizmi disiplinor nuk mund të zëvendësojë politikat e përgjithshme të administrimit të pushtetit gjyqësor, menaxhimin e burimeve njerëzore, financimin e sistemit të drejtësisë apo ndërhyrjet me karakter sistemik. Në këtë aspekt, Inspektorit i Lartë i Drejtësisë ka vijuar të ushtrojë një rol të rëndësishëm, jo vetëm si mekanizëm i trajtimit të ankesave të qytetarëve, por dhe si institucion evidentues i problematikave me karakter sistemik të pushtetit gjyqësor.
Dhe në vijim të këtij vizioni strategjik, gjatë vitit 2025, veprimtaria inspektuese e gjykatave dhe zyrave të prokurorive me karakter tematik apo institucional ka zënë një vend të rëndësishëm, në ushtrimin e kompetencave kushtetuese të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Përzgjedhja e tematikave të këtyre inspektimeve është realizuar mbi bazën e një analize të kujdesshme të burimeve të ndryshme të informacionit, të cilat kanë shërbyer për identifikimin e problematikave dhe prioriteteve në sistemin e drejtësisë. Në këtë kuadër, janë marrë në konsideratë objektet e ankesave të paraqitura pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD), informacionet periodike të përcjella nga gjykatat dhe zyrat e prokurorive, si dhe propozimet apo informacionet e ardhura nga institucione të tjera publike.
Këto inspektime kanë luajtur një rol të rëndësishëm jo vetëm në evidentimin dhe analizimin e problematikave që lidhen me funksionimin e organeve të drejtësisë, por edhe në forcimin e mekanizmave të përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies. Në rastet kur gjatë procesit të inspektimit janë konstatuar elemente të shkeljeve disiplinore, janë iniciuar hetime disiplinore përkatëse dhe, kur janë plotësuar kushtet ligjore, janë nisur edhe procedime disiplinore ndaj magjistratëve. Në këtë mënyrë, inspektimi tematik/institucional ka shërbyer si një instrument i rëndësishëm për garantimin e respektimit të standardeve profesionale dhe etike, si dhe për rritjen e integritetit dhe efikasitetit të sistemit të drejtësisë.
Për 7 (shtatë) inspektime të kryera gjatë vitit 2025 janë hartuar gjithsej 75 rekomandime, prej të cilave, 14 lidhen me nevojën për ndërhyrje normative apo rregullatore, 46 kanë karakter administrativ dhe 15 janë adresuar për vetë institucionin. Kjo strukturë e rekomandimeve dëshmon qartë se funksioni inspektues i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë po evoluon gradualisht nga një model tradicional kontrolli individual të magjistratëve drejt një funksioni më të gjerë analitik të problematikave me karakter sistemik të sistemit të drejtësisë.
Megjithatë, dëshiroj të ndaj me ju se analiza e efektivitetit të këtyre rekomandimeve është një proces, i cili kërkon përmirësim të vazhdueshëm. Brenda zyrës së ILD-së, kjo është një çështje në diskutim të përditshëm me trupën e inspektorëve dhe shërbimet juridike, por edhe me partnerë ndërkombëtarë, që asistojnë zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për ta bërë sa më funksionale dhe performuese, këtë kompetencë thelbësore të ILD-së. Por, mendoj se analiza e efektivitetit të rekomandimeve të ILD-së, lidhet dhe me faktorë dhe aktorë të tjerë. Së pari, reformat në sektorin e drejtësisë, ndërhyrjet strukturore konsiderohen dhe janë procese afatgjata, të cilat kërkojnë kohë të konsiderueshme për t’u implementuar në mënyrë efektive dhe të qëndrueshme. Së dyti, procesi i ndjekjes së zbatimit të rekomandimeve të lëna nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë kërkon kohë, si dhe efektiviteti i tyre varet nga niveli i zbatimit prej institucioneve përgjegjëse, përfshirë Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Prokurorin e Përgjithshëm, Shkollën e Magjistraturës, apo drejtuesit e institucioneve dhe administratën gjyqësore. Së treti, është thelbësore nevoja për një qasje të koordinuar dhe bashkëpunimi ndërinstitucional, vizioni afatgjatë dhe planifikimi strategjik ndërmjet organeve të reja të sistemit të drejtësisë. Së katërti, në një sistem drejtësie, i cili po zhvillohet dita-ditës dhe problematikat me karakter sistemik janë të shumta, mungojnë ende indikatorë të matshëm (sasiorë/cilësore), që të mundësojnë vlerësimin e ndikimit konkret të rekomandimeve në uljen e vonesave, përmirësimin e performancës, apo reduktimin e problematikave të përsëritura në lidhje me organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor.
Por, pavarësisht ekzistencës së këtyre faktorëve, një pjesë e konsiderueshme e vlerësimit të rezultateve janë në nivel gjurmueshmërie dhe analize të vazhdueshme nga ana e institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, nëpërmjet zhvillimit të inspektimeve vijuese me qëllim monitorimin e zbatimit të rekomandimeve të lëna. Në këtë drejtim, nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë po punohet për hartimin e një metodologjie të posaçme në lidhje me monitorimin dhe ndjekjes e procesit të zbatimit të rekomandimeve të lëna, në kuadër të zhvillimit të inspektimeve tematike/institucionale.
Të nderuar zotërinj deputetë!
Në vijim të këtij raportimi, dëshiroj të paraqes disa nga problematikat kryesore apo çështje me rëndësi, të cilat edhe gjatë vitit 2025, kanë vijuar të ndikojnë në funksionimin dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë. Këto çështje përfshijnë aspekte strukturore, procedurale dhe institucionale, të cilat kërkojnë vëmendje të veçantë dhe adresim të koordinuar ndërmjet organeve përgjegjëse, me qëllim përmirësimin e standardeve të drejtësisë dhe rritjen e besimit të publikut në institucionet e saj.
Së pari, një nga masat që ka patur ndikim të drejtpërdrejtë në aksesin e individëve në sistemin e drejtësisë është dhe riorganizimi i gjykatave në kuadër të hartës gjyqësore. KLGJ-ja ka detyrën të ndjekë në mënyrë të vazhdueshme pasojat dhe efektet e këtij riorganizimi, duke analizuar nëse kjo hartë i ka arritur objektivat për të cilat është miratuar dhe në veçanti, sa është garantuar e drejta e aksesit në drejtësi, sa është rritur eficenca e shërbimeve të ofruara për palët dhe cili ka qenë efekti që ka patur në trupën gjyqësore. Vetëm një analizë e tillë mund të përbëjë një argument të nevojshëm, për mundësinë e riformatimit të hartës gjyqësore edhe në një afat më të shpejtë, nëse kjo konsiderohet e nevojshme dhe e domosdoshme. Përveç kësaj analize, një riorganizim tjetër duhet të shoqërohet me një vlerësim paraprak dhe një garantim të kushteve të nevojshme infrastrukturore, administrative dhe funksionale përpara fillimit të efekteve të tij.
Së dyti, respektimi i rregullave të solemnitetit, komunikimit dhe sjelljes së magjistratëve në marrëdhënie me eprorët, palët pjesëmarrëse dhe kolegët përbën një problematikë tjetër të evidentuar në përmbajtjen e ankesave, por edhe nga verifikimet e iniciuara kryesisht nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Këshillat, në këto raste, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme në lidhje me caktimin ose jo të masave disiplinore të propozuara nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, në lidhje me respektimin e etikës dhe të solemnitetit në gjykim apo veprimtarinë hetimore, duhet të kenë rol më aktiv nëpërmjet marrjes së masave konkrete për analizimin e këtyre rasteve nga Këshilltari i Etikës dhe dhënien e orientimeve mbi mënyrën e veprimit dhe sjelljes së magjistratëve për fenomene të ngjashme.
Në veçanti vlerësohet, se Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet të miratojë instrumentet e nevojshme, të cilat të udhëzojnë modelin e sjelljes që duhet të ndjekin magjistratët në rast të dilemave etike, nëpërmjet opinioneve përkatëse për t’i paraprirë shkeljeve të mundshme të etikës nga prokurorët. Është e rëndësishme të evidentohet se procedura disiplinore duhet të jetë mekanizmi i fundit korrigjues për respektimin e etikës nga magjistrati. Nga ana tjetër, duhet të forcohet bashkëpunimi me Shkollën e Magjistraturës në trajnimin vazhdues të magjistratëve, veçanërisht atyre me më pak vite përvojë në sistem, në kuadër të shpeshtimit të trajnimeve dhe individualizimit të tyre për rastet e referuara nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Njëkohësisht, vëmendje duhet t’i kushtohet edhe trajnimit vazhdues të magjistratëve të tjerë, në përgatitjen e tematikave me efekt ndërgjegjësues dhe parandalues për shmangien e sjelljeve, të cilat mund të kenë ndikim serioz në perceptimin e publikut për sistemin e drejtësisë.
Së treti, krahas qytetarëve, pretendime lidhur me vendimmarrje të gabuara nga ana e magjistratëve paraqiten në mënyrë të vazhdueshme edhe nga institucionet shtetërore. Vlen të ndalemi edhe tek institucionet, që për shkak të kompetencave të akorduara nga kuadri ligjor, duhet të paraqesin ankesa, të cilat të parashtrojnë të dhëna të besueshme për kryerjen e një shkeljeje disiplinore, siç është rasti i Ministrit të Drejtësisë, Prokurorit të Përgjithshëm, drejtuesve të zyrave të prokurorisë apo kryetarëve të gjykatave. Në shumë raste, faktet e paraqitura nga këto institucione kanë shërbyer si shkak për nisjen e hetimeve disiplinore dhe pasi i janë nënshtruar procesit të hetimit disiplinor, kanë përfunduar me propozime për masa disiplinore ndaj magjistratëve.
Në procedimet disiplinore të kryera, Inspektori i Lartë i Drejtësisë është mbështetur në standardin sipas të cilit, jo çdo ndryshim apo prishje e një vendimi gjyqësor nga një gjykatë më e lartë, nuk mund të përbëjë apriori shkak ligjor të mjaftueshëm për procedimin disiplinor të magjistratit, nëse nuk evidentohet që vendimmarrja të ketë qenë në kundërshtim të hapur dhe flagrant me ligjin, apo me praktikat unifikuese të Gjykatës së Lartë, të cilat kanë sjellë diskreditimin e pozitës dhe figurës së magjistratit. Në rastet kur ankesat e paraqitura nga institucionet janë arkivuar, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, pas verifikimit të tyre, ka vlerësuar se pretendimet institucionale zgjidhen nëpërmjet mekanizmave të brendshëm të kontrollit gjyqësor dhe se në ushtrimin e diskrecionit nga magjistratët në zbatimin dhe interpretimin e kuadrit ligjor nuk janë konstatuar elementë të shkeljeve disiplinore.
Në të njëjtën kohë, në këtë aspekt, Gjykata e Lartë, si gjykatë ligji, duhet të marrë masa për zgjidhjen e konflikteve, shmangien e divergjencave dhe qëndrueshmërinë në interpretimin dhe zbatimin e ligjit. Procesi i ndryshimit dhe njehsimit të praktikës gjyqësore, nga njëra anë dhe detyrimi i gjykatave të zakonshme për të zbatuar vendimet nomofilatike, nga ana tjetër, i shërbejnë vlerave të uniformitetit dhe parashikueshmërisë në zbatimin e së drejtës. Në këtë kuadër, Gjykata e Lartë, duke vlerësuar qëndrimet apo interpretimet e ndryshme të mbajtura nga gjykatat më të ulëta, duhet të adresojë nevojën për siguri juridike, duke ushtruar funksionin e saj kushtetues në kuadër të harmonizimit të së drejtës dhe të koherencës së orientimeve jurisprudenciale.
Së katërti, në përmbyllje, dëshiroj të theksoj se forcimi i sistemit të drejtësisë nuk mund të arrihet pa një bashkërendim të qëndrueshëm dhe funksional ndërmjet të gjitha institucioneve përgjegjëse. Bashkëveprimi dhe koordinimi ndërmjet Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është i nevojshëm, në fushat me ndikim në veprimtarinë e magjistratëve dhe në veçanti në paraqitjen e propozimeve për kryerjen e inspektimeve tematike. Institucioni i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka qenë i angazhuar dhe vijon të ofrojë angazhim maksimal, në kuadër të zhvillimit të një kulture bashkëpunimi dhe koordinimi institucional, ku të gjitha institucionet e sistemit të drejtësisë si KLGJ, KLP, Gjykata e Lartë, Shkolla e Magjistraturës, apo dhe organet e tjera, si Kuvendi dhe Ministria e Drejtësisë, të punojnë mbi plane veprimi strategjik të përbashkëta për përmirësimin e cilësisë së drejtësisë dhe forcimin e besimit të qytetarëve. Ky proces kërkon vizion afatgjatë, plan të strukturuar zbatimi dhe një vlerësim të vazhdueshëm të rezultateve, në mënyrë që çdo rekomandim të shndërrohet në realitet institucional. Vetëm përmes bashkëpunimit dhe përkushtimit të përbashkët, mund të garantojmë një sistem drejtësie, që i shërben qytetarit dhe që mund të funksionojë mbi themele të qëndrueshme profesionalizmi, integriteti dhe besueshmërie.
Në përfundim të këtij raportimi, dua të sjell në vëmendje të Kuvendit të Shqipërisë, se të gjitha çështjet e trajtuara tregojnë se sistemi i drejtësisë ndodhet përpara sfidave të rëndësishme strukturore dhe me karakter sistemik, të cilat kërkojnë një qasje të integruar dhe të koordinuar ndërinstitucionale. Përmirësimi i kohëzgjatjes së proceseve gjyqësore, rritja e efikasitetit të hetimeve, forcimi i infrastrukturës institucionale, garantimi i standardeve të të drejtave të njeriut dhe unifikimi i praktikës gjyqësore përbëjnë elementë thelbësorë të një sistemi drejtësie funksional dhe të besueshëm për qytetarët shqiptar. Në këtë kuadër, balancimi mes pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së magjistratëve, si dhe forcimi i etikës profesionale janë shtylla të domosdoshme për konsolidimin e shtetit të së drejtës. Vetëm përmes një bashkëpunimi të qëndrueshëm ndërinstitucional dhe një vizioni të përbashkët reformues mund të garantohet një drejtësi më efikase, më transparente dhe më e afërt me standardet evropiane dhe pritshmëritë e qytetarëve.
Faleminderit për vëmendjen dhe mbetem në dispozicion për çdo pyetje apo diskutim lidhur me veprimtarinë e institucionit gjatë vitit 2025.
