Mehmeti: Një pjesë e maturantëve nuk janë të përgatitur për tregun e punës
Pedagogu Ndriçim Mehmeti, i ftuar në emisionin "Epiqendër" të gazetares Sonila Musai, komentoi rezultatet e Maturës Shtetërore 2026, duke ngritur shqetësimin për përgatitjen e një pjese të maturantëve për tregun e punës.
Sipas Mehmetit, nxënësit që kanë marrë nota të ulëta, si 5 dhe 6, nuk zotërojnë kompetencat e nevojshme për t'u integruar në tregun e punës.
Ai theksoi se, bazuar në rezultatet paraprake, rreth 2 600 maturantë me këto nota do ta kenë të vështirë të ndërtojnë një karrierë profesionale apo të përmbushin kërkesat e punëdhënësve.
Mehmeti veçoi edhe nivelin e dobët në gjuhët e huaja, duke u shprehur se maturantët me mesatare rreth 6.5 nuk zotërojnë njohuritë e nevojshme, çka sipas tij përbën një pengesë serioze për punësimin dhe zhvillimin profesional.

