Mbyllen 9 gjykata e 9 prokurori në disa qytete, avokatët: Kostot e larta mbi qytetarët!

9 gjykata e 9 prokurori janë mbyllur të hënën e 1 majit, pasi nisi faza e dytë e implementimit të hartës së re gjyqësore. Avokatët në Pogradec dhe në Lushnje thanë se barra financiare e lartë do të bjerë mbi qytetarët të cilët do të paguajnë kosto shtesë. Avokatët, por edhe qytetarët, e kanë kundërshtuar hartën e re gjyqësore që nisi implementimin me 1 shkurt të këtij viti duke shkrirë të gjitha gjykatat administrative në rrethe.

Duke nisur nga 1 maji, Lushnja nuk ka më gjykatë të shkallës së parë funksionale.

Qindra dosje janë transferuar tanimë në Gjykatën e Fierit, e cila e ka tanimë juridiksionin edhe për Lushnjen.

Jane mbi 2000 dosje te qytetarëve të Lushnjes, të cilat do të gjykohen tashmë në Gjykatën e Fierit.

Sipas avokatëve, të cilët e kanë kundërshtuar hartën e re gjyqësore, kostot bien mbi xhepat e qytetarëve.

"Problematikat normalisht do të jenë shumë të mëdha. Qytetarët që kanë qenë në procese gjyqësore akoma nuk e kanë marrë si informacion që kjo gjykatë po transferohet në gjykatën e Fierit dhe në muajin maj do të paraqiten në këtë gjykatë dhe jo në Lushnje."

Edhe në Pogradec është e njëjta situatë.

Gjykata atje u mbyll zyrtarisht të hënën e 1 majit, dhe 600 dosje u transferuan në Korçë.

Një pjesë e avokatëve të Pogradecit kanë filluar të lëvizin nga qyteti drejt Korçës.

"Ndjekja e procesit gjyqësor do të sjellë kosto së pari për tarifën e avokatit, e cila do të jetë më e lartë dhe së dyti dhe për qytetarët që duan të jenë prezent në gjykim, duhet të paguajnë shpenzimet e transportit për të shkuar në gjykatën në të cilën do të transferohet dosja e tyre për tu gjykuar."

Sipas fazës së dytë të zbatimit të hartës gjyqësore nga 1 maji nëntë gjykata dhe prokurori në rrethe nga sot nuk do të funksionojnë.

Pas kësaj faze, dosjet e gjykatës së Tropojës transferohen në Kukës, të Matit në Dibër, të Kurbinit në Lezhë, të Pukës në Shkodër, të Krujës në Tiranë, të Kavajës në gjykatën e Durrësit, të Lushnjës në Fier, të Përmetit në Gjirokastër dhe të Pogradecit në Korçë.

harta e re gjyqësore mbyllen gjykatat

EMISIONET