Mafia ukrainase 'zbarkuar' në Vlorë/ SPAK mbyll hetimet për tre personat e huaj që rekrutonin të rinjtë për trafikim të detyruar

SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e tre shtetasve ukrainas, Nazar Khamuilo, Mark Petrenko dhe Karol Oskiera.
Të tre akuzohen për trafikim të personave të rritur dhe përfshirje në një grup të strukturuar kriminal.
Hetimet filluan pas një ankese të Ambasada e Ukrainës në Shqipëri, sipas së cilës disa shtetas ukrainas po detyroheshin të punonin kundër dëshirës së tyre në Vlorë.
Policia gjeti disa persona në një banesë në lagjen “Demokracia”, duke punuar me kompjutera dhe aplikacione online për të rekrutuar persona të tjerë dhe për të ndihmuar në transport dhe shitje të lëndëve narkotike në vende të ndryshme të Europës Lindore.
Gjatë kontrollit u sekuestruan pajisje elektronike dhe u zbuluan 24 pasaporta të personave që punonin në tre ambiente të ndryshme.
Viktimat ishin të detyruar të përdornin pseudonime dhe u tregonin vazhdimisht video dhune për të frikësuar dhe kontrolluar punën e tyre.
Tre të pandehurit mbanin pseudonimet, Nazar Khamuilo ishte “Kika”, Mark Petrenko ishte “E Premtja” dhe Karol Oskiera ishte “Veterineri”.
Hetimet u mbështetën edhe nga DEA në SHBA dhe autoritetet gjyqësore ukrainase.


