Petkoviq s*lmon Policinë e Kosovës/ Kontrollet e sigurisë në Prizren i quan “represion”

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar ndaj masave të sigurisë të ndërmarra nga Policia e Kosovës gjatë ceremonisë fetare në Manastirin e Kryeengjëjve të Shenjtë në Prizren, duke i cilësuar ato si “represion”.
Përmes një reagimi në rrjetin social “X”, Petkoviq pretendoi se pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë kryer kontrolle të panevojshme ndaj besimtarëve serbë që morën pjesë në aktivitet, duke ngritur akuza edhe për pengim të punës së disa mediave në gjuhën serbe.
Ai deklaroi se këto veprime, sipas tij, kishin për qëllim “provokimin e një Gazimestani të ri”, duke përdorur një narrativë të përsëritur politike nga zyrtarët e Beogradit ndaj institucioneve të Kosovës.
Megjithatë, masat e sigurisë të ndërmarra nga Policia e Kosovës gjatë tubimeve publike dhe aktiviteteve me pjesëmarrje të madhe janë pjesë e procedurave standarde për garantimin e rendit dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve.
Kontrollet policore në raste të tilla kryhen me qëllim parandalimin e incidenteve të mundshme dhe nuk lidhen me përkatësinë etnike apo fetare të pjesëmarrësve.
Institucionet e Kosovës kanë theksuar vazhdimisht se detyra e autoriteteve të sigurisë është mbrojtja e rendit publik dhe garantimi i sigurisë për të gjitha komunitetet, në përputhje me ligjet në fuqi.
Deklaratat e Petkoviqit vijnë në një periudhë kur zyrtarët serbë kanë shtuar kritikat ndaj Prishtinës, duke përdorur shpesh akuza për “diskriminim” dhe “presion” ndaj komunitetit serb. Ndërkohë, institucionet e Kosovës i kanë cilësuar këto pretendime si pjesë të një fushate politike dhe propaganduese kundër autoriteteve të vendit.


