PARALIZOHET TIRANA NGA ORA 6:00! Ambasada amerikane thirrje: Shmangni lëvizjet në rrugën "George W. Bush"
Ambasada e SHBA në Shqipëri ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët lidhur me protestën e planifikuar nga Partia Demokratike, që do të mbahet të nesërmen, në orën 10:00 paradite, para Kuvendit, në rrugën "George W. Bush".
Sipas njoftimit, protestuesit mund të zgjerohen në rrugët dhe ndërtesat përreth qeverisë. Ambasada paralajmëron se pritet një prani e shtuar e policisë, bllokime rrugësh dhe devijime të trafikut gjatë protestës dhe disa orë më parë.
Personeli i ambasadës është udhëzuar të shmangë zonën e tubimit, ndërsa qytetarët këshillohen të qëndrojnë larg protestës, të jenë të vëmendshëm dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale për sigurinë.
Ambasada nënvizon se situata gjatë protestave mund të ndryshojë shpejt dhe bën thirrje që qytetarët të përdorin rrugë alternative dhe të marrin masa për mbrojtjen e vetvetes, duke shmangur zonat e bllokuara dhe çdo incident të mundshëm.
Ndërkaq ditën e sotme, policia ka njoftuar se do të marrë përsipër mbarëvajtjen e tubimit opozitar.
Tiranë
Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një tubimi, ditën e nesërme, në orën 10:00, para Parlamentit.
Me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, Policia e Tiranës me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka ndërmarrë të gjitha masat, në bazë të ligjit “Për tubimet”.
Në zbatim të këtyre masave, ditën e nesërme do të kufizohet lëvizja, nga ora 06:00 deri në përfundim të tubimit, në rrugën “George W. Bush”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për devijimin e qarkullimit të automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e lëvizjes me automjete, si dhe apelon që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.


