Shikoni videon/ Fermerët e prisnin me protestë para Kuvendit, Rama ndalon dhe i fton brenda
Kryeministri Edi Rama u ndal para kuvendit për të ftuar disa nga fermerët që ishin mbledhur për të protestuar kundër heqjes së 6 % dhe për të kërkuar më shumë mbështetje për fermerët të cilët rrezikojnë falimentin.
Ndërsa fermerët ishin jashtë - me pankarta në duar ku ndër të tjera shkruhej dhe "Edhe Vuçiç për llogari të "Open Ballkan" do të kishte bërë një paketë fiskale më të mirë se kjo" - brenda në Kuvend kishte nisur diskutimi për paketën fiskale 2022.
Fermerët kërkojnë që në paketën fiskale të merren parasysh 6 kërkesat e tyre.
Ata kërkojnë mbështetje më të madhe të shtetit, garantimin e cilësisë së farës, dhe 6% të shpërndahet direkt tek fermeri dhe jo të hiqet.
“Jemi mbledhur për ti thënë kryeministrit se nuk jemi ne të painformuar por ju. sepse 6 % nuk është 9 mln euro pasi Produkti I Brendshëm Bujqësor zë 20% të GDP-së së shtetit tonë dhe është gati 3.5 mln dollarë dhe 6 % shkon tek 210 mln dollarë. Ne kërkojmë që ky 6 % që ishte paracaktuar të vinte përmes tregtarëve të vijë direkt tek fermerët për njësitë e prodhimit.
Ne kemi kërkuar heqjen e asaj forme të dhënies së 6 % përmes tregtarëve, por fakti është që është hequr dhe nuk po shkon tek fermerët. Nuk jemi dakord. Janë alokuar 9 mln euro. Ne kemi kërkuar që fondi 6% të jepet direkt tek fermeri përmes faturës tatimore dhe do kishte shumë të mira” tha kreu i Sindikatës së Fermerëve të Bashkuar, Eduard Sharka në një prononcim për gazetaren e Ora News Fjorela Beleshi.
Në momentin kur Rama doli nga makina për të hyrë në seancë pa fermerët dhe i ftoi të hynin brenda në Kuvend për të bërë një takim informal ku ata ti tregonin shqetësimet e tyre.
Fermerët thonë se nuk duan lëmoshë por formalizim të sektorit të bujqësisë
'Kjo është kërkesa e parë e jona. Nuk është instrument lëmoshe por për të formalizuar sektorin e bujqësisë, frenuar braktisjen e investimeve, sepse nuk po e kuptojnë që janë qindra miliona euro remitanca të infermierëve dhe fonde, kredi të marra nga institucionet e mikrokredisë që po braktisen" tha përfaqësuesi i fermerëve në prononcimin për Ora News.
Fermerë kërkojnë dhe barazimin e TVSH-së.
"Ministria e Financave ka bërë gafë të madhe. Fakti që është zero tvsh në blerje e 20 në shitje i ka zënë grykën tregut të brendshëm dhe tregtarët nuk kanë asnjë lloj interesit të blejnë tek fermerët. Edhe pikat që deri tani kanë bërë eksport me këto efekte të TVSH-së që do të kenë me këto ndryshime do të kthehen në pika që importojnë dhe distribuojnë. Do humbë interesi për produktin e fermerit.