Leje ndërtimi në shkelje të ligjit, nën hetim zyrtarët e bashkisë së Vlorës, dy të arrestuar më parë

Tre punonjës të zyrës së urbanistikës në Bashkinë e Vlorës janë proceduar penalisht për shkak se akuzohen se kanë abuzuar me dhënien e lejeve të ndërtimit. Punonjësit në fjalë ishin arrestuar në 2021 për të njëjtën vepër penale, por pas daljes nga burgu ishin rikthyer në të njëjtin vend pune dhe kishin vijuar të njëjtat shkelje.

Abuzimi me lejet e ndërtimit në Bashkinë e Vlorës ka çuar në procedim penal 3 punonjës të zyrës së urbanistikës në këtë Bashki.

Rubin Hekurani 33 vjeç, Klaudio Mehemtaj, 32 vjeç dhe Suela Abazaj 35 vjeçe janë proceduar penalisht nga specialistët e për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare  pasi dyshohen se kanë shpërdoruar detyrën, duke miratuar praktikën për dhënien e një leje ndërtimi jashtë kritereve ligjore.

Sipas njoftimit të policisë këta zyrtarë dyshohen se kanë shpërdoruar detyrën, duke miratuar praktikën për dhënien e një leje ndërtimi jashtë kritereve ligjore, në favor të shtetasit A. I., i cili ka vijuar ndërtimin e objektit jashtë kushteve teknike të lejes së ndërtimit.

Bëhet fjalë për një shtesë objekti të një lokali në zonën e Kalit të Trojes, i ndërtuar kohët e fundit.

Në vijim të veprimeve u procedua penalisht edhe shtetasi A. I., 38 vjeç, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.

Rast i përsëritur

Rasti i shpërdorimit të detyrës në Bashkinë  e Vlorës merr përmasa skandaloze teksa Rubin Hekurani dhe Klaudio Mehmetaj ishin arrestuar në muajn nëntor të 2021 pikërisht për dhënie abuzive të lejeve të ndërtimit, por më pas janë rikthyer përsëri në të njëjtin pozicion duke vijuar shkeljet e njëjta.

Në muajin nëntor Rubin Hekurani përgjegjësi i zyrës së Urbanistikës në Bashkinë e Vlorës  dhe specialisti i kësaj zyre Klaudio Mehmetaj u arrestuan pasi kishin dhënë një leje abuzive për një lokal në rrugën Transballkanike.

Hetim edhe në Sarandë për ndërtim pa leje

Specialistët e Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë referuan materialet në Prokurori, për veprën penale "Ndërtimi i paligjshëm", në ngarkim të shtetasit S. C., 64 vjeç, banues në fshatin Borsh, Himarë, pasi ka ndërtuar pa leje në një objekt, në fshatin Borsh, Himarë. 

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

EMISIONET