Lagjja "Gllavenicë" në Ballsh pa asnjë investim, banorët: Të paktën pastroni përroin të mos mbytemi
Banorët e lagjes "Gllavenicë" në Ballsh janë të zhgënjyer pasi janë lënë jashtë vëmendjes së kryebashkiakëve për afro 40 vite.
Kjo është një zonë me rreth 200 familje që ndodhet vetëm 500 metra larg qendrës së Ballshit por kushtet e infrastrukturës janë të mjerueshme sipas banorëve.
"Që kur kemi ardhur dhe deri sot kështu ka qenë. As rruga nuk është bërë, as përroi nuk është pastruar, asgjë. As ndriçim, as kosha."
"Duket vetë. Nuk kemi kanalizime të ujërave zeza. Rruga nuk është shtruar asnjëherë."
Rrugët janë të pashtruara dhe me baltë gjatë dimrit si dhe me pluhur gjatë verës.
"Do të bëhet sot, do të bëhet nesër. As sot, as nesër."
"Në radhë të parë të pastrohet përroi, kur bie shi ke frikë të dalësh përjashta. Sheshi mbushet vetëm ujë, nuk del dot. Fëmijët nuk dalin dot për të shkuar në shkollë."
Banorët thonë se taksat i paguajnë rregullisht, por askush nuk i ka kthyer në investime.
"Kot i paguajmë kur nuk ke një kosh për mbeturinat. Rruga nuk është bërë asnjëherë."
"Unë i kam me gropë septike shkarkimet, ai më merr taksë për ujërat e zeza."
Bashkia Mallakastër ka pohuar se shumë shpejt do të ndërhyjë për punime, por pa dhënë një afat.