Ku shkoi investimi i Flamur Golemit?! Banorëve të pallatit 5-katësh në Gjirokastër i rrezikohet jeta nga rrëshqitja e dherave
Banorët e një pallati 5-katësh në Gjirokastër rrezikojnë të mbesin nën gërmadha nëse bashkia nuk ndërhyn për të ndalur rrëshqitjen. Prej 3 vitesh jetojnë ne rrezik por akuzojnë se po shkelen rregullat me tenderin e miratuar pak muaj më parë për rehabilitimin e zonës. Në Gusht të këtij viti vetë kryetari i Bashkisë Flamur Golemi tha se shumë shpejt do të nisin investimet aty, por deri më tani nuk është bërë asgjë.
"Më shumë se tre vjet i ka vënë në panik këta banorë dhe unë do të falenderoja sot se nuk do kisha mundësi ta bënim këtë investim patjetër kryeministrin, i cili na mbështeti. Ne do ta zgjidhim shumë shpejt këtë problem," është shprehur Golemi.
Kjo është deklarata e Kreut të Bashkisë së Gjirokastrës Flamur Golemi në Gusht të këtij viti, kur premtonte rehabilitimin e zonës së banuar e cila rrezikonte nga shembjet e dherave.
Ai mblodhi familjet e pallatit 5-katësh në lagjen “Punëtori” që prej tre vitesh jetojnë në rrezik dhe u dha lajmin e mirë që shumë shpejtë do të ketë investim, madje sipas tij ishte siguruar edhe fondi.
"Nuk e di, me frikë jetojmë, ç'të bëjmë. Ne jemi në përrua, ikën ajo, rrëshqet çdo gjë."
Por teksa po kalojnë 4 muaj, jo vetëm që Golemi nuk e ka mbajtur fjalën, por asnjë punim nuk ka nisur.
Me rikthimin e shirave është rikthyer edhe paniku tek banorët të cilët prej 3 vitesh jetojnë në ankth.
"Durojmë, fol sot, fol nesër në vesh të shurdhër."
Pallati 5-katësh është bërë disa herë objekt denoncimesh të banorëve, por deri më tani nuk është gjetur asnjë zgjidhje.
Katër muaj më parë kryebashkiaku Golemi për rrëshqitjen e dherave nuk ka bërë fajtor vetëm natyrën por edhe babëzinë e ndërtimeve pa kriter, e megjithatë edhe pse fondet janë dhënë zgjidhja duket e largët.