Konstatimi i pavlefshmërisë së sterilizimit, ILDKPI ende s’ka marrë zyrtarisht vendimin, Prokuroria: Do e çojmë kur të përfundojmë hetimet paraprake

Konstatimi i pavlefshmërisë së sterilizimit, ILDKPI ende

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive, ende nuk është njohur zyrtarisht me vendimin e gjykatës së Posaçme të datës 23 qershor 2023, që urdhëron marrjen e masave ligjore për konstatimin e pavlefshmërisë së kontratës koncesionare të firmosur në 12 dhjetor 2015, mes ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja dhe administratorit të “Sani Service”, Admir Daca.

Në një përgjigje zyrtare dërguar “Ora News”, ILDKPI pranon se nuk është njohur me asnjë vendim gjykate të marrë në 23 qershor 2023, duke ngritur dyshime për mos ekzekutim të plotë të vendimit nga ana e dy prokurorëve të SPAK, Ervin Kondili dhe Ened Nakuçi.

Përmes këtij dokumenti, të firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm, Arbër Basholli, ILDKPKI sqaron se:

“…ju bëjmë me dije se pranë ILDKPKI-së nuk është paraqitur në rrugë zyrtare njoftimi mbi vendimin Nr.49 datë 23 qershor 2023 i gjykatës së Posaçme, me qëllim njohjen dhe trajtimin në përputhje me kompetencat brenda kuadrit ligjor në fuqi…”.

Megjithatë, Inspektoriati i Lartë shprehet se institucioni ka qenë dhe mbetet i angazhuar për të vijuar bashkëpunimin me Strukturën e Posaçme në vendosjen në dispozicion të dokumentacionit të administruar pranë këtij institucioni.

Dy muaj e gjysmë nga marrja e vendimit nga gjykata e posaçme, për arrestimin e biznesmenit të koncesionit të sterilizimit Ilir Rrapaj dhe ish-zv/ministrit të Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, ende prokuroria nuk ka zbatuar plotësisht vendimin e gjyqtarit, Erion Bani.

Burime pranë prokurorisë SPAK, thanë për “Ora News” se s’mund t’ia dërgojnë vendimin e gjykatës ILDKPI-së, pasi dosja ende është në fazën e hetimeve paraprake, duke mos pasur deri më sot një konkluzion përfundimtar mbi përgjegjësinë penale të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja.

Në pikën 20 të vendimit për caktimin e masave të sigurisë ndaj Ilir Rrapaj, Klodian Rjepaj dhe 6 zyrtarëve të tjerë të Ministrisë së Shëndetësisë, gjyqtari i posaçëm shprehet se:

”…një kopje e këtij vendimi ti dërgohet institucionit të ILDKPKI-së, me qëllim marrjen e masave për ndjekjen e rrugës ligjore për konstatimin e pavlefshmërisë së Kontratës Koncesionare të datës 20 dhjetor 2015 të lidhur midis Ministrit Ilir Beqaj dhe shoqërisë “SaniService” përfaqësuar nga administratori, Admir Daca…”.

EMISIONET