Karkaleci "pushton" qytetet, Shahini: Është sezonale, i padëmshëm për shëndetin
Profesori i Entomologjisë, në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Shpendi Shahini, tha për ATSH-në, se “përhapja e karkalecave në qendrat urbane, gjatë javëve të fundit, është sezonale dhe i padëmshëm për shëndetin e njerëzve”.
Prof. Shahini, njëherazi një nga studiuesit më në zë të fushës së insekteve, thonë që bëhet fjalë për karkalecin migrator, i cili zakonisht jeton sezonalisht në zonat urbane, është i padëmshëm dhe ushqehet në bimësi.
“Është një specie, e cila pothuajse në mënyrë të përvitshme është prezent në vendet urbane. Nuk ka asnjë lloj shqetësimi. Edhe në rastet kur e shikoni që është në shtëpi është i grackuar nga drita.Kjo specie nuk rrezikon asnjë lloj dëmi qoftë edhe për bimësinë nëpër lulishte. Nuk është agresive, kështu që do të thoja nuk ka shqetësim”, shprehet Shahini.
Lidhur me vijueshmërinë e prezencës së karkalecit në zonat urbane, Pro. Shahini informon se, “aktualisht jemi në fazën kur larvat janë kthyer në insekte të rritura”.
“Gjatë muajt shtator fillojnë të vendosin vezët dhe insekti i rritur shkon drejt ngordhjes”, u shpreh ai.
Shahini bëri të ditur se, në disa zona rurale pati vatra të infektuara nga karkaleci italian dhe maroken, por siç tha ai, “trajtimet kimike janë bërë në kohën e duhur dhe nuk kemi nivele për shqetësim të jashtëzakonshëm”.
“Krahas mbrojtjes nuk mund të përdorim pesticide pa masë. Masat kanë qenë komplekse dhe mjaft efektive. Në këto nivele që jemi pothuajse është në normalitet dhe disa herë më e ulët krahasuar me vitin e kaluar ”, tha Shahini.