Jeleku antiplumb shpëtoi Dumanin. U nis të vriste Otin, shokun e ngushtë të Suelit por ra në pritë

Mbajtja veshur e një jeleku antiplumb që u sekuestrua më pas në banesën, ku u arrestua Nuredin alias Lulzim Dumani,(Luli) i ka shpëtuar jetën këtij të fundit, në ngjarjen e 29 Marsit të ndodhur në kryqëzimin e Papërit në Elbasan.

Pavarësisht mbrojtjes ai ka mbetur i plagosur ndërsa sulmi është bërë shkak  për nisjen e  operacionit policor. Pikërisht nga ky plumb, mori dhe emrin operacioni "Plumbi i Artë" 

Dumani kishte dalë në 26 dhe 29  Mars në Elbasan, për të vrarë Elton Kilën ose siç njihet ndryshe në Elbasan “Oti”, i cili është shok i ngushtë i Suel Çelës.

I shumëkërkuari i drejtësisë Shqiptare dhe pjesëmarës në disa ngjarje të rënda, ka treguar se porosinë për vrasjen, e kishte marë nga Suel Çela, nëpërmjet një bisede që kishte zhvilluar me të në aplikacionin “Matrix”. Por nga verifikimet e kryera në TIMS, objektivi i tyre Elton Kila, rezulton të jetë larguar me familjen mëngjesin kur do të realizohej atentati, duke udhëtuar nga Rinasi në drejtim të Gjermanisë.

Miku i Dumanit Henrik Hoxhaj, është endur për disa orë në hyrje të Elbasanit për të pikasur Otin, ndërsa Dumani, qëndronte në gadishmëri në zonën e Papërit, në pritje të një mesazhi konfirmimi për lëvizjen.

Dyshohet se e gjitha kjo skemë, ka qënë kurth, pasi vetë Dumani ishte objektivi i këtij atentati, duke u sulmuar befasisht nga tre persona ku është qëlluar plot 9 herë me automatik duke i shkaktuar dëmtime të rënda.

Vetë Dumani, nuk ka mundur të bëjë asnjë lëvizje, pavarësisht se brenda në makinë tip BMWx5 ku qëndronte kishte 2 automatikë kallashnikov, një pistoletë Izraelite dhe 1 pistoletë “TT”.

Ai është transportuar nga Henrik Hoxhaj në drejtim të Fierit, dhe në darkën e asaj nate, të dy personat janë arrestuar nga RENEA.

Tashmë prita u kthye në rrëfimin që solli 32 të akuzuar nga të cilët 14 janë në kërkim.

EMISIONET