Atentati në Lezhë, Burime: Autorët qëlluan me breshëri automatiku, shënjestra dy persona me mbiemrin Preçi
Detaje të reja kanë dalë në lidhje me atentatin që ka ndodhur pasditen e sotme në Lezhë.
Ora News bën me dije se është qëlluar me breshëri automatiku drejt një mjeti tip "Mercedes Benz ML", i cili ishte në lëvizje.
Burime bëjnë me dije se brenda makinës që u qëllua, udhëtonin Klisman dhe Blerim Preçi nga Miloti.
Mësohet se dyshohet se shënjestra e atentatit ka qenë Blerim Preçi, i njohur nga banorët e Lezhës dhe si Rini, i cili ishte kthyer pak ditë më parë nga Belgjika.
Si pasojë e të shtënave nuk ka pasur të lënduar, por mjeti në të cilin ndodheshin dy kushërijtë, ndaj të cilëve u qëllua me breshëri plumbash ka përfunduar jashtë rruge.
Grupi hetimor në vendngjarje po administron çdo provë e të dhënë, për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Janë ngritur pika kontrolli si dhe po bëhet krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve.