Hoxha: Hartimi i një Kodi të ri Penal, ishte i domosdoshëm. 9 persona kanë vdekur nga publikimi i sekreteve hetimore në dosjen "Pl*mbi i Artë"
Ndryshimet e Kodit Penal të propozuara nga qeveria kanë nxitur debate si në opinionin publik, ashtu edhe tek grupet e interesit.
Për të kuptuar më shumë se çfarë propozohet të ndryshohet në Kodin Penal i ftuar në një intervistë në “Ora News” ishte avokati Arbër Hoxha, i cili tha se që nga viti 1994 deri më sot ky Kod ka ndryshuar 32 herë.
“Është qepur dhe shqepur plot 32 herë, po ta themi figurativisht dhe në këto kushte ka qenë një domosdoshmëri hartimi i një Kodit të ri Penal.
Dhe Kodi i ri Penal parashikon një sërë institutesh dhe parimesh të cilat ndryshojnë pothuajse krejtësisht nga Kodi Penal aktual.
Po ashtu ajo që është për t’u përshëndetur dhe përgëzuar është alternativat e dënimit me pagim, ku nga 5 sot propozohen në 7 masa, të cilat janë të aplikueshme. Ajo që është më tepër interesante në rastin konkret është pagimi i një shume të hollash aty për aty në favor të shtetit. Pra, sa herë që një individ apo shoqëri i detyrohet shtetit shqiptar shumë të caktuar, ka të drejtë të paguajë 1/3-ën dhe çështja të pushohet.
Pra, janë një sërë parimesh dhe institutesh të cilat janë tepër interesante.
Po ashtu, edhe në veprat penale, pjesa dërrmuese jo vetëm që gjejnë zbatimin, por ul dhe marzhin e dënimit.
Pra, disa vepra penale si psh: mashtrimi kompjuterik parashikohej 5 deri në 15 vite burgim, apo aksidentet rrugore me pasojë vdekjen e dy apo më shumë personave që parashikohen 5 deri në 20 vite.
Pra këto lloj marzhesh të mëdha dënimi patjetër që sjellin dhe korrupsionin në sistemin e drejtësisë.
Sa herë që pushteti institucional i gjyqtarit më i lartë aq më i lartë është dhe rreziku për ta zbatuar gabim Kodin Penal. Në këto kushte Kodi Penal ka pasur nevojë të ndryshohej, por besoj se ky është një nga opsionet më të mira. Normalisht, nuk është ideali, por në këto kushte është më opsionali, ku zbatohen kushtet socio-ekonomike në të cilat ndodhet Shqipëria aktualisht”, u shpreh Hoxha.
Ndërsa llidhur me parashikimin e dënimit me burg për materialet hetimore apo komentimin e vendimeve gjyqësore, avokati sqaroi se në këtë rast kemi të bëjmë me publikimin e materialeve që janë sekret hetimor, apo sekret shtetëror.
“Nuk ka lidhje me komentimin e tyre, por lidhet me të drejtën e medias për të informuar, por dhe detyrimin që ka media ku dokumente dhe persona që janë ende nën hetim të mos bëhen publikë.
Të marrim parasysh këtu atë se çfarë ka ndodhur me dosjen “Plumbi i Artë”, ku ato të dhëna sekrete për publikun që janë dhënë në sallën e gjyqit ato janë nxjerrë dhe3 transmetoheshin në kohë reale jashtë dhe për pasojë kanë ndërruar jetë mbi 9 persona të ndryshëm për shkak të daljes së sekreteve hetimore.
Pra, këto dispozita nuk lidhen me të drejtën e medias, të paktën siç janë shkruar, për të informuar apo komentuar vendimet e gjykatës, por lidhen me ndalimin jo vetëm të personave që janë pjesë e medieve, por edhe atyre që janë të lidhur siç janë subjektet e procedimit penal, të pandehurit, mbrojtësit e tyre, por edhe prokurorët.
Pasi kemi shpeshherë që materialet që janë sekret hetimor dhe nuk i janë dhënë mbrojtjes dhe të pandehurve, por dalin në media dhe në opinionin publik, janë dhe prokurorët.
Pra, kjo lidhet me publikimin e dokumenteve që janë sekret apo tepër sekret”, tha ndër të tjera avokati Arbër Hoxha.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME AVOKATIN ARBËR HOXHA



