Stela Gugallja në Austri, administratorja e incineratorëve lokalizohet nga SPAK
14 muaj nga shpallja në kërkim, Stela Gugallja është zbuluar në Austri. Ka qenë vetë aksionerja e kompanive që ndërtuan incineratorin e Fierit dhe të Elbasanit që është paraqitur në Vjenë. Pas marrjes së njoftimit, SPAK ka kërkuar ekstradimin, teksa avokatët kundërshtojnë kthimin e saj në Shqipëri.
Stela Gugallja, e cila akuzohet për korrupsion me skemën e incineratorëve të Elbasanit dhe të Fierit, është lokalizuar në Vjenë.
Lajmin e ka konfirmuar edhe SPAK kur kanë kaluar 14 muaj nga shpallja në kërkim.
Informacionin për identifikimin e saj e kanë dhënë autoritetet austriake, ku ajo është paraqitur për të dhënë vendqëdrimin.
Menjëherë Prokuroria e Posaçme SPAK është vënë në lëvizje duke kërkuar ekstradimin në Shqipëri ku ka nisur edhe procesi gjyqësor ndaj saj.
Për njoftimin ka reaguar dhe avokati i Gugalljas, Klodian Skënderi, icili shprehet se do të kërkojë në gjykatën e Vjenës pavlefshmërinë e pretendimit për ta kthyer aksioneren e incineratorëve në Shqipëri.
Po ashtu ai konfirmon se ajo nuk është arrestuar apo shoqëruar por është paraqitur vetë konform procedurave.
Gugallja është marrë e pandehur për dy hetimet që kanë nisur dhe tashmë janë në fazën e seancave paraprake si administratore e kompanisë “Albtek Energy” që ka ndërtuar incineratorin e Elbasanit dhe Fierit.
SPAK e akuzon se ka lëshuar fatura fiktive për punë të cilat nuk janë kryer asnjëherë.
Nën akuzë së bashku më Gugallën janë Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët SPAK i akuzon se në bashkëpunim kanë korruptuar zyrtarë për fitimin e koncesioneve të incineratorëve.
Por për ta ende nuk ka informacion për vendndodhjen.
Në në dy dosjet e marra nga SPAK të pandehur janë marrë rreth 30 persona, ku pjesë e tyre janë ish-minstri Lefter Koka dhe ish-deputeti Alqi Bllako.