Gjyqi ndaj Metës, Cakrani: SPAK gënjen gjykatën, ÇEZ-DIA dhe akuza për lobimin do të pushohen
Avokati Kujtim Cakrani në një deklaratë për mediat u shpreh se seanca paraprake ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), është zhvilluar mes tensioneve të larta, ndërsa mbrojtja ka lëshuar akuza të forta ndaj Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Ai deklaroi se prokurori i çështjes ka qenë i pasaktë dhe ka mashtruar gjykatën gjatë relatimit të fakteve, duke paraqitur të dhëna të gabuara lidhur me datat dhe momentet kohore, gjë që ka shkaktuar irritim te pala mbrojtëse dhe ndërprerje të herëpashershme të seancës.
“Në momentin që ata mashtrojnë dhe gënjejnë përpara gjykatës, si në rastin e lobimit ku zoti Meta nuk ka firmosur asnjë dokument, ne irritohemi,” u shpreh Cakrani. Ai theksoi se një nga problemet më të mëdha procedurale është mungesa e listës së provave ku bazohet akuza.
Strategjia e mbrojtjes është e qartë, kërkohet pushimi i dy prej akuzave kryesore ajo për aferën “ÇEZ-DIA” dhe akuzën për pastrim parash lidhur me lobimin në SHBA ndërsa për akuzën e tretë, të fshehjes së pasurisë dhe deklarimit të rremë, mbrojtja kërkon kthimin e çështjes për hetime të mëtejshme.
Pjesë nga deklarata:
Për të cilën kishte bërë favor, dhe kjo ka pasur një tension ndërmjet zotit Meta dhe zotit Kllapi. Gjithashtu, dua të theksoj që zoti Kllapi sot ka qenë i vetëm; nuk kanë qenë, nuk janë dhe nuk janë paraqitur as zoti Kraja, as zoti Dumani. Ai, pasi ka relatuar, ka qenë shumë i pasaktë, qoftë në datat, qoftë në momente të ndryshme kohore, dhe kjo ka bërë që ne të irritoheshim dhe ta ndërprisnim herë pas here. Dhe kjo është një seancë që Klodi duhet ta kuptojë.
Ne jemi në një seancë të fazës paraprake, ku duhet të shikojmë të gjithë veprimet procedurale që ka kryer organi i procedurës. Kur ata mashtrojnë dhe gënjejnë përpara gjykatës, si rasti i lobimit, ku në fakt zoti Meta nuk ka firmosur asnjë dokument, ata po mashtrojnë. Ne nuk do ta pranojmë këtë. Problemi qëndron në faktin se, ju e keni rënë në dijeni të tij…
Ata relatojnë fakte që i interpretojnë, dhe prokurori, në 30 faqe, tha: “Unë do t’i relatoj këto”, por shtoi: “Këto nuk janë prova.” Dhe vazhdonte t’i relatojë. Problemi qëndron te fakti se ne kemi kërkuar, por nuk kemi marrë, akuza konkrete për zotin Meta, zonjën Kryemadhi e të tjerë. Ata nuk kanë sjellë listën e provave; pra, akuzën konkrete dhe listën e provave ku e bazojnë akuzën. Ky është një problem shumë i madh, siç e dini ju që jeni gazetarë që keni ndjekur çështjen vitin e kaluar. Si mund të vijë prokurori pa sjellë kërkesën e shoqëruar me listën e provave? Në rastin konkret, lista nuk është sjellë. Ai thotë: “Ne do ta sjellim”, por akoma nuk e ka bërë. Kur nuk ka sjellë listën e provave, padyshim që ne irritohemi ndaj çdo paqartësie që prokurori shfaq në relatimin e tij.
Seanca u ndërpre sepse kemi arritur te faqja 104. Ju e dini që janë rreth 270 faqe, plus provat e reja që prokurori ka sjellë, që janë rreth 250 faqe, dhe nuk ka përfunduar, sepse ne kërkuam që t’i lexojë rresht për rresht, fjalë për fjalë dhe gërmë për gërmë. Kjo ka qenë arsyeja e vonesës sot, dhe ne do të vazhdojmë ta kërkojmë këtë në pjesën e mbetur të relatimit. Janë akoma rreth 120–130 faqe për t’u relatuar, që nuk besoj se do të përfundojnë sot.
Ka referenca kohore dhe emra personash që nuk kanë njohje me zotin Meta, por që i referohen, dhe që nuk provohen, pra nuk janë vënë në dispozicion nga organi i procedurës. Ai i ka në mendje, i relaton, dhe kur ne kundërshtojmë, kundërshtimi ynë është shumë i irritueshëm për të, dhe ai thotë: “Ky ishte interpretimi im.” Pra, jemi përballë këtij momenti. Për këtë arsye, situata dhe seanca ka qenë shumë e tensionuar.
Do të vazhdojmë tani dhe do të kthehemi përsëri në sallë, sepse duhet të rifillojmë relatimin, që padyshim do të zgjasë. Janë pesë avokatë që duhet të relatojnë, pasi janë pesë persona të akuzuar. Pastaj do të shikojmë vendimin e gjykatës. Kjo çështje nuk përfundon as sot, as javën tjetër, sepse do të marrim kohën tonë. Do t’i relatojmë gërmë për gërmë dhe do t’i shpjegojmë gjykatës të gjitha veprimet procedurale dhe pse çështja duhet pushuar për dy akuza dhe pse duhet kthyer për pjesën tjetër që kërkon hetim të mëtejshëm.
Aty përmendet Adrian Shatku. Ai përmendet në të gjithë relatimin. Sot jemi në faqen 104, dhe Adrian Shatku çuditërisht nuk është pyetur, nuk është dërguar as letër-porosi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si mund të vazhdojmë në këto kushte?
ÇEZ-DIA nuk ekziston, dhe vetë prokurorët nuk janë të bindur. Pra, ÇEZ-DIA është një nga akuzat që ka zoti Meta, dhe dy akuzat e tjera lidhen me lobimin dhe pastrimin e produkteve të veprës penale, si dhe deklarimin e rremë ose mosdeklarimin. Mosdeklarimi ose deklarimi i rremë është mbajtur nga bashkëshortja e tij, sepse ajo ka kryer të gjitha veprimet. Që nga momenti i parë, zonja Kryemadhi ka deklaruar që të gjitha veprimet për familjen, përsa i përket shpenzimeve dhe deklaratave, i ka kryer ajo. Pra, fakti që ajo e ka marrë përsipër, nuk mund të mohohet. Por për akuzat e tjera, si pastrimi i produkteve të veprës penale dhe ÇEZ-DIA, mendohet se do të pushohen.


