Berisha: Pesë kërkesat e protestës, PD prezanton propozimin për reformën territoriale

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi online, deklaroi se protesta e opozitës ka pesë kërkesa kryesore, ndërsa theksoi se më e rëndësishmja dhe e panegociueshmja mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Sipas Berishës, Rama nuk është një kryeministër legjitim, pasi, sipas tij, qeverisja e tij buron nga zgjedhje të manipuluara dhe të kontestuara në raportet ndërkombëtare. Ai e akuzoi kreun e qeverisë për mbrojtje të korrupsionit dhe për lidhje me afera të mëdha financiare.
Berisha u ndal edhe te veprimet e opozitës në Kuvend, duke thënë se Partia Demokratike bllokoi punimet parlamentare për dy çështje kryesore: reformën territoriale dhe kërkesat e protestuesve jashtë Parlamentit. Sipas tij, Kuvendi aktual nuk përfaqëson qytetarët, por interesat e grupeve kriminale, korrupsionit dhe patronazhistëve.
Në lidhje me reformën territoriale, kreu i PD-së tha se partia e tij mori pjesë në komision për të mbrojtur interesat e qytetarëve, pas kërkesave të shumta të ardhura nga e gjithë Shqipëria. Ai vlerësoi punën e grupit të opozitës, të drejtuar nga Luçiano Boçi, duke thënë se ishte përgatitur një projekt që parashikonte rritjen e numrit të bashkive dhe rikthimin e komunave, në përputhje me ndryshimet demografike.
Berisha akuzoi gjithashtu Edi Ramën se u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga reforma territoriale, duke e cilësuar këtë një akt të papërgjegjshëm. Ai përsëriti qëndrimin se me qeverinë aktuale nuk mund të ketë reformë të vërtetë dhe se opozita do të vijojë betejën politike në mbështetje të kërkesave të protestuesve.

