Programi “Dyfisho sipërmarrjen tënde” – Koçiu: Bizneset mund të përfitojnë kredi deri në dy milionë euro

Programi “Dyfisho sipërmarrjen tënde” –

Bizneset mund të përfitojnë kredi deri në dy milionë euro në kuadër të programit mbështetës të qeverisë për bizneset ”Dyfisho sipërmarrjen tënde”, tha sot zëvendëskryeministrja Albana Koçiu.

Ajo vizitoi sot një sipërmarrje në Spitallë të Durrësit, ku prezantoi përfitimet dhe mundësitë që ky program u ofron bizneseve të vogla dhe të mesme.

Koçiu theksoi se programi u hartua për t’u dhënë më shumë qartësi bizneseve mbi rrugëtimin dhe zhvillimin e aktivitetit të tyre, duke i ndihmuar të sigurojnë financim dhe të rrisin kapacitetet.

“Sot ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përbëjnë 98% të sipërmarrjeve që operojnë në vend, ndërsa vetëm rreth një e katërta e tyre arrijnë të marrin kredi nga institucionet financiare. Pikërisht për këtë arsye menduam se programi ‘Dyfisho sipërmarrjen tënde’ është instrumenti i duhur për t’u dhënë mundësinë këtyre bizneseve të rriten dhe të zhvillohen. Përveç mbështetjes financiare, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit do të ofrojë ekspertizë për hartimin e planeve të biznesit, në mënyrë që aplikimet të jenë sa më të plota dhe më të pranueshme nga bankat”, tha Koçiu.

Ajo sqaroi se programi është hartuar në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe bankat e nivelit të dytë. Në kuadër të tij, qeveria garanton 70% të kolateralit përmes garancisë sovrane.

Përmes këtij programi, bizneset mund të përfitojnë kredi deri në dy milionë euro, me norma interesi të ulëta, nga 2% deri në 3%, dhe me afat shlyerjeje deri në 10 vjet.

“Qëllimi ynë është që kushdo që ka një ide të qartë për zhvillimin e biznesit të tij të ketë mundësinë të aplikojë. Ministria e Ekonomisë ka marrë të gjitha masat për të ofruar asistencën e nevojshme në hartimin e planeve të biznesit, duke lehtësuar edhe procedurat e vlerësimit nga institucionet bankare”, shtoi Koçiu.

Nga ana e tij, zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Martin Kajo, bëri të ditur se aplikimet për programin do të qëndrojnë të hapura deri në vitin 2027.

Edhe kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, e vlerësoi programin si një mbështetje tërëndësishme për bizneset e vogla dhe të mesme.

“Mendojmë se do të jetë një ndihmë shumë e madhe. Që në momentin kur nisi të flitej për këtë program, kam marrë disa telefonata nga biznese të vogla, që kanë pyetur se si do të funksionojë dhe kur do të kenë mundësinë të aplikojnë. Për këtë arsye, fushata informuese është shumë e nevojshme në të gjithë territorin, në mënyrë që bizneset të njihen me procedurat dhe të kenë kohën e nevojshme për të përgatitur dokumentacionin e kërkuar për aplikim”, u shpreh Sako.

EMISIONET