Afera e incineratorëve, GJKKO pranon kërkesën e Kokës dhe Bllakos për gjykim të shkurtuar
Procesi ndaj ish-ministrit Lefter Koka dhe ish-deputetit Alqi Bllako për aferën e Incineratorit të Elbasanit do të vijojë me gjykim të shkurtuar. Gjykata e ka pranuar kërkesën e të pandehurve, ndërkohë që SPAK vijon paralelisht hetimet ndaj SPAK, duke marrë në pyetje edhe njerëz pranë tij.
Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, ish-sekretarit të kësaj Ministrie Alqi Bllako dhe 7 të pandehurve të tjerë, që procesi ndaj tyre për incieneratorin e Elbasanit, të vijojë me gjykim të shkurtuar.
Më 18 maj pritet që SPAK të lexojë edhe pretencën për ta.
Sipas akuzës, Koka në cilësinë e ish-minisrtit të Mjedisit ka përfituar rreth 3.7 mln euro ryshfet nga tre administratorët e kompanisë “Albtek Energy” Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja për dhënien me koncesion dhe ndërtimin e incineratorit të Elbasanit.
Ndërsa për Etleva Kondin, e cila ka qenë pjesë e Komisionit për miratimin e licencave të incineratorëve të Elbasanit dhe Fierit procesi do të vijojë me gjykim të zakonshëm dhe çështja e saj u veçua.
Paralelisht, nën dyshimin si i përfshirë në aferën e incineratorëve, SPAK po vijon hetimet për ish- zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj.
Burimet kanë bërë të ditur se procesi ka vijuar me mbledhjen e provave që mund të sjellin akuzë për korrupsion ndaj ish numrit dy të qeverisë.
Mësohet se në pyetje janë marrë personazhe të medias por pa dhënë detaje mbi çështjet e shtruara, duke u konsideruar ende një sekret hetimor.
Të dhëna janë kërkuar edhe mbi ndërtimin e dy vilave në Hamallaj dhe Palasë.