Gjendet motori që përdori vrasësi i Nikulajt, ishte në afërsi të banesës së Edmond Haxhiajt
Motori i përdorur në vrasjen e politikanit lokal dhe biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin u gjet të enjten nga policia i fshehur pak metra larg banesës së Edmond Haxhisë, i dyshuar si organizator i atentatit. Pikërisht ky mjet ndihmoi policinë në zbulimin e ngjarjes, pas identifikimit të vajzës që e kishte blerë atë në Tiranë. Ajo ka treguar edhe për vrasësin nga Portugalia që kishte mësuar të fliste shqip në zonën ku veproi. Planet për atentatin mësohet se kanë nisur 5 muaj më parë.
Vrasësi i Ardian Nikulajt u fiksua nga kamera të shumta sigurie duke lëvizur me këtë motor pas ekzekutimit të biznesmenit më 19 prill, por pikërisht ekspozimi i tepruar i mjetit të përdorur çoi në zbulimin e tij.
Motori me të cilin lëvizi portugezi Ruben Saraiva ditën e ngjarjes, u gjet nga policia të enjten rreth 300 metër larg banesës së shtetasit Edmond Haxhia, i dyshuar si porositës i krimit.
Hetuesit e Lezhës thanë se bashkë me motorin janë gjetur rroba dhe sende të tjera që do ekzaminohen, ndërsa dyshohet se po në atë zonë është hedhur edhe arma e krimit tip pistoletë.
Zbulimi i motorit erdhi falë dëshmisë së vajzës që e kishte blerë atë përmes një njoftimi në internet.

Dëshmitarja e cila është person që ka lidhje me autorët e krimit ka treguar se blerja ishte bërë në zonën e "21 dhjetorit" për një shumë rreth 1800 euro.
Ora News ka siguruar një pjesë të dëshmisë së vajzës që ndihmoi hetuesit në zbardhjen e ngjarjes.
"Fillimisht portugezi është dërguar në një hotel në zonën e Shëngjinit, shumë pranë "Coralit". Të nesërmen e kanë çuar në Shkodër. Motorrin e kam blerë unë, e kam parë më vonë te magazina e shtëpisë së Edmondit në Kakarriq të Lezhës. Dy numrat me të cilët ka komunikuar Edmond Haxhia, janë regjistruar në emër të një vajze nga fshati Zejmen Lezhë, e cila punon si menaxhere e një lokali në Tiranë".
Dëshmitarja ka treguar se vrasësi nga Portugalia ishte miqësor me banorët e zonës së Kakarriqit, teksa gjithmonë i përshëndeste në gjuhën shqipe.
"Portugezi përshëndeste gjithmonë banorët e Kakarriqit në gjuhën shqipe, por me Ednondin komunikonte në anglisht".
Sipas policisë, më 14 shkurt të këtij viti ka qënë edhe vizita e parë e vrasësit në vëndin tonë, i cili më pas ka dalë në 19 prill në orën 19:26 minuta në pikën e Kapshticës si këmbësor.
Lidhja e shtetasve të huaj me shqiptarin Edmond Haxhia sipas hetuesve është faktuar nga kamerat e sigurisë pasi 4 britanikët dhe portugezi janë pritur në aeroport nga Haxhia, i cili rezulton të jëtë i afërm i familjes Lekstakaj e cila ishte në hasmëri me viktimën.
Bastisja e dhomës së hotelit ku ka qëndruar shtetasi britanik Harry Simpson, i cili ka pasur rolin e vëzhguesit dhe në automjetin me targa AA837 ZM, të përdorur nga Edmond Haxhia, janë gjetur veshje hixhap grash dhe është përftuar një profil biologjik, i njëjtë me profilin e një çamçakëzi të gjetur në magazinën e shtetasit Edmond Haxhia.



