Gazetari Qyno: Atentati në "Don Bosko" u organizua nga Kasandër Noga të vriste hasmin Geron Hasanbelliu
Arrestimi i vëllezërve Indrit dhe Gentian Beqiraj duket se do të hedhë dritë mbi një sërë krimesh që kanë tronditur vendin vitet e fundit.
Dy vëllezërit Beqiraj kanë pranuar të bashkëpunojnë me policinë duke treguar dhe krimet se ku ata kishin qenë bashkëpunëtorë.
Kështu objektiv i atentatit të ndodhur më 4 janar 2022 në “Don Bosko” në Tiranë duket se nuk ka qenë Erion Çela por një person tjetër.
Grupi i vrasësve ishte kontraktuar nga Kasandër Noga, një emër mjaft i njohur i botës së krimit, i cili synonte të vriste hasmin e tij, Geron Hasanbelliun.
Grupi i vrasësve sipas dëshmisë së dy vllezërve Beqiraj, është ndërruar dhe për pasojë ditën kur do bëhej vrasja e Geron Hasanbelliut, është qëlluar mbi verandën e lokalit, ku është vrarë Erion Çela dhe plagosur 4 persona të tjerë.
Hetimi për zbulimin e një serie vrasjesh të kryera në Tiranë, Durrës dhe zonën e Fushë-Krujës, nisi pas pengmarjes së vëllezërve Beqiraj nga Agron Bejdolli, i cili është lidhja më e fortë e Aleksandër Lahos ose “Rrumit” të Shijakut
Aktualisht Agron Bejdolli është shpallur në kërkim nga policia, informon gazetari i Ora News, Elton Qyno.
Hasmëria mes familjes Noga dhe Hasanbelliu
Kasandër Noga nga Patosi, në vitin 2000 i ka vrarë babain Erion Hasanbelliut pas një konflikti. Vëllai i tij, Geron Hasanbelliu është vënë në pranga 14 qershor 2013, në rrugën e Barrikadave në Tiranë.
Arrestimi dhe ekstradimi i tij në vitin 2013, është bërë pasi Gjykata e Fierit, me vendimin e datës 7 shtator 2009, e ka dënuar me 25 vjet heqje lirie për kryerjen e veprës penale të “vrasje me paramendim për gjakmarrje e kryer në bashkëpunim”, “vrasje me paramendim për gjakmarrje“ e kryer në bashkëpunim mbetur në tentativë, “mbajtje pa leje të armëve të zjarrit”.
Masakra e Sanatoriumit para 22 vjetësh
Më 19 gusht të vitit 2000 Kasandër Noga hyri në sanatorium i shoqëruar edhe nga Julian Çela dhe pasi shkelmuan dhomën e reanimacionit ku ndodheshin të shtruar Aqif Hasanbelliu (babai i vellezërve Hasanbelliu) dhe Dritan Hajdini, shoku i Geronit, u ka hequr serumin nga krahu dhe me breshëri automatiku i ka lënë të vdekur në vend. Vrasja ndodhi për motive hakmarrjeje, pasi këta persona i kishin vrarë kohë më parë vëllain, Kasander Nogës.
Hakmarrja në Belgjikë dhe arratisja në Itali
Vëllezërit Hasanbelliu u vunë në ndjekje të djaloshit nga Patosi i Fierit dhe dy vjet më vonë, më 17 mars të vitit 2002, Geroni së bashku me Erionin, tentojnë të hakmerren.
Në Anversë të Belgjikës, ata ekzekutojnë Julian Celën dhe plagosin rëndë Kasandër Nogën në një lokal të hapur në qytetin e dytë me të madh belg pas Brukselit.
Pas ngjarjes në Belgjikë, Geroni arriti të arratisej dhe u strehua në Itali, ku u arrestua në vitin 2009 dhe u ekstradua në Shqipëri.
Kurse Kasandër Noga, autori i masakrës së Sanatoriumit, u arrestua nga policia belge gjatë vitit 2003 dhe në 2005-ën u ekstradua në Shqipëri, pasi mbi të rëndonte një dënim me burgim të përjetshëm.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.