“Big Brother” i krimit edhe në Tiranë, 6 komisariate aksion për heqjen e kamerave në rrugë
Operacioni për heqjen e kamerave vëzhguese të vendosura në mënyrë të paligjshme në hapësrat publike vazhdoi të hënën në Tiranë. Efektiva nga 6 komisariatet e kryeqytetit u angazhuan në aksion duke hequr dhjetëra pajisje vëzhgimi në rrugë dhe hapësira publike. Aksioni ka vijuar edhe në Elbasan ndërsa pritet të shtrihet edhe në disa qytete të tjera si Berati apo Kukësi ku ende nuk janë kryer ndërhyrje për heqjen e kamerave të paligjshme.
Pas disa qyteteve Drejtoria e Tiranës ka marrë aksionin këtë të hënë për heqjen e kamerave të sigurisë të vendosura në mënyrë të jashtëligjshme.
Aksionin e parë e ndërmori komisariati nr1 në kryeqytet ku filloi me lagjen e "Ali Demit".
Këto janë momentet e ndërhyrjes së policisë në rrugën "Pasho Hysa".
Efektivët e komisariati nr 1 të shoqëruar më forcat "Shqiponja" ndërhynë në disa banesa për heqjen e kamerave në rrugë.
Pas pastrimit të kësaj zone, radhën e kishin kamerat në afërsi të shkollës "Kushtrimi i Lirisë".
Më pas operacioni vijoi edhe në akset kryesore nga rruga e Elbasanit e më gjerë.
Po ashtu edhe komisariati nr 2 filloi operacion në lagjet më problematike atë të zonëns së ish-Parkut të Autobusave në zonën e "21 Dhjetorit".
Një numër i lartë kamerash janë çmontuar edhe nga komisariati nr 3 në zona si Lapraka, Instituti e dëri tek rruga "Fortuzi".
Më pas operacioni vijoi edhe me komisariatin nr 4 që ushtroi kontrolle në rrugët që të çojnë drejt Freskut, zonës së "5 Majit" dhe deri te "Myslym Keta".
Edhe komisariatet 5 dhe 6 u përfshinë në operacionin e koduar “Fijet”, duke kontrolluar zonat që kanë në kompetencë.
Të hënën heqja e kamerave ka vijuar edhe në qytetin e Elbasanit, fillimisht me heqjen e 6 kamerave e më pas me kontrollin e zonave të tjera të qytetit.
Prej nisjes së këtij operacioni në Shkodër, Policia e Shtetit ka sekuestruar rreth 185 kamera të vendosura në mënyrë të paligjshme në hapësira publike, ndërsa 22 persona janë marrë nën hetim.