Fier, 50 vjeçarja gjendet e vrarë në banesë. Burri e raportoi si vetëvrasje, zbulohet se e kishte vrarë
Ora 14: 40
Policia konfirmoi se 50 vjeçarja Valdete Mamaj nuk kishte vrarë veten por ishte vrarë nga bashkëshorti i saj me thikë buke.
Ngjarja ndodhi në banesën e familjes në lagjen “Sheq i Madh” në Fier në orët e mëngjesit të së martës
56 vjeçari pas krimit kishte lajmëruar vëllanë e tij polic i cili kishte vënë në lëvizje strukturat e hetimit
Në dëshminë e parë Petrit Mamaj e kishte orientuar hetimin drejt vetëvrasjes, cka u konfirmua edhe në njoftimin paraprak të policisë së Fierit për ngjarjen
Por ishin plagët në trupin e 50 vjeçares që e tradhëtuan.
"Nga provat e grumbulluara, deklarimet e marra, këqyrjes së trupit të viktimës nga eksperti mjeko-ligjor dhe veprimet e mëtejshme hetimore të kryera nga grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorisë Fier, rezulton se shtetasi P. M., bashkëshorti i viktimës, për motive të dobëta ka goditur me thikë shtetasen V. M., e cila për pasojë ka gjetur vdekjen.
Në bazë të hetimeve të thelluara, i vendosur përballë provave të adminstruara, shtetasi P. M., ka pranuar autorësinë dhe motivin e ngjarjes.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë për veprën penale "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese", shtetasin P. M., 56 vjeç" informoi policia e Fierit.

Ora 09: 44 Fier, 50 vjeçarja gjendet e vrarë në banesë
Një grua është gjetur e vrarë brenda banesës në fshatin Sheq i Madh në Fier mëngjesin e sotëm, 8 shkurt.
Viktima është V.M, 50 vjeç.Ajo është gjetur nga bashkëshorti me një plagë në gjoks dhe disa gërvishtje.
Dyshohet se 50-vjeçarja ka vrarë veten me thikë.
Nga informacionet paraprake mësohet se çifti nuk ka pasur probleme me njëri-tjetrin.
Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Njoftimi i plocisë:
Më datë 08.02.2022, në lagjen "Sheq i Madh", Fier, rreth orës 07:50, është gjetur nga bashkëshorti i saj, në banesë, dyshohet e vetëvrarë me mjet prerës (thikë), shtetasja V. M., 50 vjeçe.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

