“Fermerët” e shkollave/ Nxënësit me ndihmën e mësuesve mbjellin fruta e perime: Të vegjlit lidhen me tokën!

Në shkollën “Sabaudin Gabrani” në Tiranë prej marsit nxënës e mësues kanë ngritur një miniserë. Përmes saj fëmijët edukohen mbi mjedisin e mësojnë të kultivojnë kulturat bujqësore. Ministrja Kushi ka premtuar se projekti “Toka në shkolla” do të shtrihet në të gjitha institucionet arsimore në vend.

Është rutina e çdo mëngjesi.

Dritani e nis ditën duke u kujdesur për bimët e miniserës së shkollës “Sabaudin Gabrani”.

Aty, bashkë më shokët e shoqet e klasës kanë mbjellë me dashuri perime e fruta.

Detyrat i kanë të ndara.

Dritani merret me ujitjen.

“Vij çdo ditë me sanitaren, kujdesemi dhe ujisim çdo bimë këtu. Rregullojmë pjesën e dheut”, thotë Dritani.

Livia punon tokën.

“Këtu kam mbjellë sallatën, dhe pak më tutje majdanozin”, tregon Livia.

Isla mbledh prodhimin.

“Luleshtryshja do një kujdes të veçantë, sepse luleshtrydhja është një nga bimët më të vështira për t’u rritur. Kur vjen këtu relaksohesh, dhe kur mbjell bimët sikur ... është joga për mendjen”, thotë Isla.

Ndërsa Samanta çdo të premte monitoron ecurinë dhe rritjen e bimëve të vogla.

“Si janë kujdesur nxënësit, a i kanë mirëmbajtur, dhe mundohemi që çdo ditë ta përmirësojmë sa më shumë”, shprehet Samanta.

Në përmbushjen e këtyre detyrave në krah kanë Teftën, sanitaren e shkollës por me përvojë edhe në bujqësi.

Ndërtimi i kësaj minisere erdhi si pjesë e projektit të Ministrisë së Arsimit “Toka në shkolla”.

Synon të nxisë përkushtimin e fëmijëve ndaj mjedisit, por edhe t`i mësojë ata në kultivimin e kulturave bujqësore.

Astasi Keri, Drejtoresha e shkollës: “Nuk ka gjë më të bukur se kur mëson se nëpërmjet punës mund të arrihet gjithçka që ne kemi në tryezë. Pse jo, vitin tjetër mund të ndërmarrim nisma që produktet tona t’i shesim në oborrin e shkollës dhe të vijnë të na i blejnë prindërit dhe komuniteti. Pasi në këtë mënyrë ne nxisim tek fëmijët edhe ndjenjën e sipërmarrjes”.

Drejtoresha e shkollës, Astasi Keri, tregon se të vegjlit e kanë mirëpritur projektin.

E sheh shumë të dobishëm pasi i bën ata aktivë e i mban larg, qoftë edhe për pak, paisjeve teknologjike.

Astasi Keri, Drejtoresha e shkollës: “Ka arritur momenti për t’u shkëputur nga gjërat e gatshme, duke u nisur edhe nga teknologjia”.

Projekti i nisur nga shkolla speciale “Luigj Gurakuqi” në Tiranë synon të shtrihet në të gjitha shkollat e vendit.

mesuesit mësues nertila dosti nxënësit shkolla

EMISIONET