Kishte destinacion Anglinë, bllokohet furgoni me 8 pistoleta brenda

 

Një tentativë e mirëfilltë trafikimi armësh nga Shqipëria u parandalua në portin e Durrësit të hënën me kapjen e një furgoni me targa angleze ku ishin fshehur 8 pistoleta.

Në orët e mesditës, mjeti me targa angleze KS 15 NZN ka kaluar në skaner dhe pas sinjalizimit nga punonjësit për praninë e armëve policia në port ka ushtruar kontroll fizik në furgonin tip “Mercedes Benz”, ku në pjesën e bagazheve është konstatuar një tavolinë rreth 1 metër e gjysmë e gjatë e mbështjellë me letër transparente.

Në brendësi të tavolinës u konstatua gjatë kontrollit se ishin fshehur 8 pistoletat dhe municioni i tyre.

Menjëherë policia ka ndaluar shoferin e mjetit, shtetasin Jetmir Koloshi, 35 vjeç me banim në Tiranë.

Ai ishte paraqitur në port për të marrë tragetin e linjës së Ankonës dhe më pas mendohet se synonte të vijonte udhëtimin drejt Britanisë së Madhe.

Ndërkaq, SPAK ka marrë në dorë çështjen, me dyshimet se armët do të transportoheshin në funksion të veprimtarisë së një grupi të strukturuar kriminal në Angli.

 Hetuesit kanë marrë në pyetje deri në orët e mbrëmjes së djeshme 35-vjeçarin Jetmir Koloshi dhe bazuar në dëshmitë e tij, forcat e rendit kanë kryer disa kontrolle në Tiranë.

Burime policore, bënë të ditur se kontrollet janë kryer në zonën e Alliasit një një objekt ku ka dyshime se janë mbajtur pistoletat para se të paketoheshin për ti vendosur në furgonin e sekuestruar në portin e Durrësit.

Sipas ekspertizës së kryer, pistoletat e sekuestrua i përkasin markës Glock. 

durrës furgoni me pistoleta

EMISIONET