Sanitarja nuk "ndryshon mendje", Dobi: 405 mijë eurot i mora nga Alda Klosi për ti ruajtur

Sanitarja e akuzuar për vjedhje në banesat e zyrtarëve Rozeta Dobi ka dhënë një tjetër dëshmi rënduese për alda klosin, ish shefe kabineti në Ministrinë e Financave. e ri-pyetur nga hetuesit dy ditë më parë, ajo ka thënë se shumën prej mbi 400 mijë eurosh që iu gjet në banesë nuk e ka vjedhur por e ka marrë nga banesa e Alda Klosit me kërkesë të saj për ti fshehur.

Shuma prej 400 mijë eurosh e mbetur ende pa burim vazhdon të përplasë dëshmitë e sanitares Rozeta Dobi të akuzar për vjedhje dhe ish-zyrtares së Ministrisë së Financave Alda Klosi, e cila u la në burg pa afat nga gjykata.

Ish punonjësja e pastrimit në banesat e zyrtares që ka punuar si shefe kabineti në Ministrinë e Financave vijon ti qëndrojë deklarimeve se paratë  ka marrë për ti fshehur nga bashkëshorti i Alda Klosit, me kërkesën e kësaj të fundit.

Burime nga hetimi bëjnë me dije, se në dëshminë e fundit të hënën e 6 shkurtit, në ambientet e Komisariatit Nr. 3, Rozeta Dobi ka pretenduar njësoj si të premten e kaluar, se gjithçka është inskenim.

Ishte ky rrëfim i saj në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës, që solli arrestimin e Alda Klosit n jë javë më parë. Sanitarja Dobi vijon të pretendojë se të gjitha paratë janë marrë në banesën e ish-zyrtares e cila nga ana e saj ka pranuar se I përkasin vetëm 120 mijë euro.

Nga ana tjetër, avokati i Alda Klosit po përdor si argument ndryshimet e deklarimeve të Rozeta Dobit, të cilat nuk përputhen me dëshmitë e saj të para.

Mbrojtja e Klosit thotë se Prokuroria e Tiranës nuk ka marrë parasysh faktin që mes të tjerave, nënë e bir, përkatësisht Rozeta e Havier Dobi, kanë dhënë deklarime të njëjta në momentin e arrestimit, ku e pranuan ngjarjen si vjedhje.

Burime nga Prokuroria e Tiranës, bëjnë me dije se pas arrestimit të Alda Klosit dhe dëshmive të Rozeta Dobit, po kryhen verifikime rreth origjinës së parave të gjetura në banesën e tyre në tubin e aspirimit.

Hetuesit po ndjekin disa pista, ku nuk përjashtohet mundësia edhe e implikimit të personave të tjerë, rrethana për të cilat hetuesit nuk kanë ende prova të mjaftueshme për të arritur në konkluzione.

Në përballjen e dy personazheve, burimet e hetimit thanë se sanitarja Rozeta Dobi ka treguar më shumë të dhëna, mbi fakte të reja shtesë në lidhje me shumat e konsiderueshme monetare.

EMISIONET