Dëshmitari në vr*sjen e Martin Çeços “s’di lexim e as këndim”! Ja pse Apeli prishi vendimin për 4 të pandehurit e dosjes në Korçë

Marja e deklarimeve nga policia në formën e presionit psikologjik të një personi që nuk ka njohuri të shkruajë dhe lexojë, është bërë një nga shkaqet kryesore të prishjes së vendimit të dënimit për 4 të pandehurit e dosjes penale, që bën fjalë për vrasjen e Martin Çeços.
Vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë, për prishjen e vendimit të Gjykatës së Korçës që dënonte me 83 vite burgim, 4 të pandehurit Valter Mollaj, Edlir Mollaj, Martina Pajollari dhe Blendi Angjo, është marrë dy ditë më parë.
Ndërsa tashmë dosja do i nënshtrohet procedurës së rigjykimit me një tjetër trupë gjykuese.
Një nga argumentet kryesorë që Gjykata e Apelit Tiranë, rrëzoi vendimin e dënimit të dhënë nga gjykata e Korçës për 4 të pandehurit, ishte fakti se Blendi Angjo i cili punonte si çoban tek Valter Mollaj, nuk di as të shkruajë dhe as të lexojë.
Sipas gjykatës, policia e Korçës ka kryer veprime jo në përputhje me procedurën penale ndaj këtij dëshmitari, të cilin më pas e mori të pandehur për akuzën e “Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim.
Pyetja e një personi që nuk di as të lexojë dhe as të shkruajë pa prezencën e një avokati të zgjedhur apo familjar të tij, është cilësuar si shkelje e rëndë proceduriale, ndaj procesi është urdhëruar të rigjykohet sërisht.
Njëherësh Apeli, ka ngritur probleme edhe për sa i përket pretendimeve të ngritura nga avokatët, pasi dëshmitarja Martina Pajollari që më pas përfundoi e pandehur në këtë çështje, është pyetur duke iu bërë presion psikologjik.


