Debati për maturën, eksperti i arsimit: Teza nuk del kot, e fotografon dikush dhe e nxjerr jashtë për zgjidhje
Provimet e Maturës Shtetërore nuk u shpëtuan polemikave as këtë vit, me tezat që dolën pak minuta pas çdo provimi.
Fatmir Vejsiu, ekspert arsimi, i ftuar në "Ora e Betit" në Rtv Ora tha se tezat nuk dalin kot por për të favorizuar nxënësit brenda.
"Teza nuk del kot. Del për të favorizuar nxënësit brenda.Nxënësi brenda ose mësuesi, nuk e di se kush, e fotografon dhe e nxjerr jashtë te të afërmit e vet. Jashtë gjenden sa të duash njerëz që zgjidhin teza të çdo lloj niveli. Te Matematika ishte një tezë shumë e lehtë, nxënësit buzagaz tregonin pas provimit se teza ishte shumë e lehtë kur në fakt ekselentët duhet të shqetësoheshin që teza ishte e lehtë, u vu shenjë barazimi mes atyre që ishin shumë mirë në Matematikë dhe atyre që nuk ishin. Maturantët që janë të mirë dhe marrin 10 në Matematikë janë barazuar me ato maturantë që ose kanë kopjuar ose kanë përfituar nga teza e lehtë".