“Bordi për Butrintin, antishqiptar”, Zhupa: Sqaro Richard Hodges! Margariti: Asnjë nuk paguhet
Koncesioni i Butrintit rihapi debatet mes deputetëve të opozitës dhe qeverisë këtë të hënë në Komisionin Parlamentar të Medias.
Deputetja, Ina Zhupa, i kërkoi Ministres së Kulturës, Elva Margariti, sqarime për mënyrën se si u përzgjodh anëtar i Bordit të koncesionit, Richard Hodges, një individ antishqiptar sipas saj.
Margariti nuk pranoi të flasë për emrat e Bordit por tha se ata nuk marrin asnjë lek nga shteti.
Ina Zhupa: Cila ishte metoda e vlerësimit që ju si Ministri, ose si Ministre se nuk e di si ka funksionuar, përdorët për të çuar në përzgjedhjen e zotit Richard Hodges si anëtar i Bordit Ekzekutiv të Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit? A do të ishte e mjaftueshme nëse unë do ju vija në dispozicion botimet antishqiptare të këtij anëtari të Bordit?
Margariti: Bordi i Butrintit merr zero lekë. Anëtarët e Bordit zero lekë, e shkruar në çdo marrëveshje.
Zhupa foli dhe për Parkun Arkeologjik të Finiqit si dhe kërkoi informacione për restaurimin e 2 monumenteve në Shkodër.
Margariti iu kundërpërgjigj deputetes së opozitës, duke i kujtuar investimet e qeverisë së PD.
Zhupa: Kush është projekti juaj për Parkun Arkeologjik të Finiqit? Ministria juaj jeni aktualisht në prokurori për dy restaurime të kryera në Shkodër, Kafen e Madhe dhe Gjuhadolin. Sa na kanë kushtuar këto ne?
Margariti: Më thoni ju se çfarë investimesh janë bërë më parë në Shkodër? E bëtë ju Muzeun Marubi, e restauruat ju Pedonalen?
Shqetësime në Komision u ngritën edhe për kalanë e Libohovës dhe për ndërhyrjen në kishën e Shirgjit.