Bisedat e reja në SKY/ SPAK në kërkim të “Cekes” e “Lagjia”. Dumani gati për të vrarë “Ben Çamin” njeriun e Lul Berishës

Bisedat e reja në SKY/ SPAK në kërkim të “Cekes”

Biseda të tjera të zhvilluara në aplikacionin “Sky” mes vrasësit me pagesë Nuredin Dumani, Bujar Gërmizit (Galani), një personi tjetër me nofkën “Lagjia” dhe një tjetri me nofkën “Cekja”, kanë dalë në dritë dhe janë bërë objekt i punës hetimore të SPAK.

Prej disa kohësh SPAK është vënë në kërkim të zbulimit të personazheve me emrat e koduar si 19A9F8 “Lagjia”, V40G80 “Cekja” dhe nofka të tjera.

“Ora News” ka mundur të zbulojë ekskluzivisht biseda të papublikuara më parë për vrasje me pagesë, vjedhje malli kokainë, vjedhje pistoletash, e deri tek blerja e snajperave të fuqishëm në vlerën 13 mijë euro apo 3 dylbi optike me vlerën e 18 mijë eurove.

Gjithashtu mes bisedave që zhvillon Dumani me Gërmizin, flasin për lokalizimin e Talo Çelës dhe organizimin për ta vrarë atë, e pas vrasjes t’ia presin kokën.

Njëherësh mjaft biseda për punë të pista janë kryer mes Bujar Gërmizit që në “Sky” del me nofkën “Galani” dhe Nuredin Dumanit që në “Sky” del me nofkën “Toto Rinoo”.

Në këto biseda del emri i Lulzim Berishës, si njeriu që gjatë një bashkëbisedimi mes Dumanit dhe Gërmizit, del se ka strehuar për një kohë të gjatë Talo Çelën në Qerret.

Dhe pikërisht sipas Dumanit, në Qerret Talo, duhet të jetë strehuar tek djemtë e tezes së Lulzim Berishës.

Dumani i thotë Gërmizit se Lul Berisha strehon Talon për qëllimet e veta, për ta përdorur për ata të Dubait.

Në biseda flitet dhe për “Ben Çamin” që në Durrës njihet me emrin Lutfi Shabani i dënuar për trafik droge dhe njihet si mik i Lulzim Berishës dhe Emiljano Shullazit.

Në planet e Dumanit dhe Bujar Gërmizit dhe persona të tjerë në vitin 2020 është organizuar vrasja e “Ben Çamit” si njeri i afërm i Lul Berishës dhe se sipas bisedave del se goditja e “Çamit” do realizohej nga vrasës me pagesë të ardhur nga jashtë.

Vrasja e Lutfi Shabanit do realizohej pasi grupi falë hetimeve që kishin kryer dalën në përfundimin se “Ben çami” dhe Lul Berisha, strehonin Talo Çelën, kundërshtarin e betuar të Nuredin Dumanit.

Dumani ishte përgatitur për të goditur Lutfi Shabanin që të vinte për Vitin e Ri nga Dubai, pasi ai kishte dhe babain e sëmurë. Dhe sipas tij vrasjen e “Ben Çamit” do e realizonte në derë të shtëpisë.

EMISIONET