Berberi: Shqiptarët preferojnë jugun, është rritur interesi për turizmin malor
Operatori turistik Olger Berberi, i ftuar në emisionin "Epiqendër" të gazetares Sonila Musai, foli për prirjet e shqiptarëve në zgjedhjen e destinacioneve të pushimeve, duke theksuar se krahas bregdetit, vitet e fundit është rritur ndjeshëm interesi edhe për turizmin natyror dhe malor.
Sipas Berberit, shqiptarët vijojnë t'u qëndrojnë besnikë pushimeve verore në bregdet, veçanërisht në rivierën e jugut.
Megjithatë, ai vuri në dukje se tashmë është krijuar edhe një traditë e zgjedhjes së destinacioneve jashtë vendit.Berberi theksoi se përveç bregdetit, një numër gjithnjë e më i madh pushuesish po orientohen drejt zonave malore dhe atraksioneve natyrore që ofron Shqipëria.
Sipas tij, destinacione si Thethi, Valbona, Lëpusha dhe Tamara në Alpet Shqiptare, si edhe Korça, Voskopoja, Dardha, Pogradeci, Razma, Kukësi dhe Dibra, po tërheqin çdo vit më shumë vizitorë falë bukurive natyrore dhe përmirësimit të infrastrukturës.

