Banorët humbin betejën në gjykatë, vendoset marrja e ujit të Sinecit
Banorët e fshatit Lumas në Kuçovë e kanë humbur betejën në Gjykatën e Vlorës për ujin e Sinecit. Togat e zeza vendosën sot të pushojnë çështjen e ngritur nga banorët, ndërsa avokati mbrojtës hodhi akuza ndaj trupës gjykuese dhe ndaj investitorëve. Ndërkohë banorët u shprehën të zhgënjyer nga vendimi.
Gjykata e shkallës së parë në Vlorë ka pushuar padinë e ngritur nga banorët e Lumasit për një firmë private e cila po kryen punimet në burimet ujore të Sinecit.
Sipas avokatit, Arben Llangozi, vendimi është për shkak të mungesës së drejtësisë.
Avokati hodhi akuza si për gjykatën si për kryetarin e bashkisë së Kuçovës.
"Ka cënuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë zonën e mbrojtur e cila do përgjigjet në detaje për krimin që është bërë palë me një oligark që është Pëllumb Salillari me një kryetar bashkie, i cili ndodhet në ndjekje penale nga këta banorë.Ne nuk është se na demoralizon çdo veprim i kryer në kundërshtim me ligjet. Cilido që shkel ligjet në rastin konkret do të përgjigjet dhe ne do të na bëjë më të fortë."
Banorët u shprehën të shqetësuar për vendimin ndërsa shprehën rezervat e tyre për vendimin që e konsideruan si të padrejtë.
"Shteti me rrjetet mafioze, me oligarkët, e shkatërron këtë zonë".
"Drejtësia sot është përdhosur, ka shkuar në fazën më të fundit."
"Na merr ujin nga shtëpia dhe ja çon tjetrit."
Banorët e Lumasit prej muajsh kanë protestuar për ujin e Sinecit, ndërsa beteja e tyre duket se është humbur deri në këto momente.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.