"Ata janë vandalë" - Lamallari në Elbasan: Personat që dh*nuan policinë, s'kanë të bëjnë me protestën

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilluan një vizitë në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, ku inauguruan ambientet e rikonstruktuara të institucionit. Investimi i ri u ofron kushte moderne pune 332 punonjësve të Policisë së Shtetit dhe përmirëson ndjeshëm shërbimin ndaj qytetarëve, duke shënuar përmbylljen e investimeve në të gjitha drejtoritë vendore të policisë në shkallë vendi.

Pas vizitës, ministri Lamallari iu përgjigj interesimit të mediave lidhur me ngjarjet e protestës së një dite më parë, duke theksuar se e drejta për të protestuar është një e drejtë kushtetuese, por se dhuna ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, gazetarëve dhe institucioneve publike është e papranueshme dhe do të trajtohet sipas ligjit. Ai nënvizoi se faktet e dokumentuara tregojnë se efektivët e policisë u sulmuan me gurë dhe sende të forta, duke mbetur të plagosur disa prej tyre, ndërsa u regjistruan edhe akte dhune ndaj përfaqësuesve të medias dhe dëmtime të pronës publike. Sipas ministrit, Policia e Shtetit ka vepruar në përputhje me ligjin për të parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe për të garantuar rendin, sigurinë publike dhe ushtrimin e lirë të detyrës nga gazetarët.

Pyetje: Zoti ministër pse ndodheni këtu në Elbasan sot?

Ministri Lamallari: Jam bashkë më Drejtorin e Përgjithshëm, për të vizituar nga afër ambientet e rikonstruktuara të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, ku sigurisht siç e shikoni edhe vetë, janë kushtet më moderne që mund t’i ofrohen 332 punonjësve të Policisë, të cilët shërbejnë për të gjithë komunitetin elbasanas këtu në drejtori. Gjithashtu, kemi kushte dinjitoze shërbimi dhe për vetë qytetarët. Sapo dolëm nga ambientet e shërbimit, e pritjes së qytetarëve, 110 metra katrorë të dedikuara. Dhe nga ana tjetër, sigurisht kjo nënkupton, çdo investim në teknologji, çdo investim në infrastructure, nga më modernet që ne kemi investuar këtu, nënkupton më shumë siguri dhe me Drejtorinë Vendore Vendore të Policisë së Elbasan përmbyllet dhe investimi në të gjithë drejtoritë vendore, në shkallë republike. Kemi inauguruar më herët dhe Komisariatin e Krujës dhe do të vijojmë bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm, në çdo komisariat dhe stacion policie, të cilët kanë nevojë për kushte dhe standarde më të mira.

Pyetje: Lidhur me akuzat e grupit të organizatorëve të protestës për ushtrim dhune ndaj tyre, çfarë komenti keni?

Ministri Lamallari: Atëherë siç i keni parë pamjet dhe ju ditën e djeshme, ka dy momente, që dua të veçoj. Kjo bazuar në faktet, si nga raportimet tuaja, të demonstruara në kohë reale, po ashtu edhe nga informacionet e ardhura nga agjencitë e zbatimit të ligjit. Fillimisht, gjithçka nisi me goditjen e punonjësve të Policisë së Shtetit me gurë dhe sende të forta, ku patëm dhe punonjës efektivë të plagosur, fillimisht të Komisariatit Nr. 5, më pas dhe komisariateve të tjera, të cilët kishin efektivët në dispozicion, për garantimin e rendit dhe ligjit gjatë zhvillimit të protestës. Protesta është një e drejtë kushtetuese, por nga ana tjetër duhet të dallojmë mes protestës dhe dhunës që ushtrohet nga një grup personash. Aq më tepër kur pastaj goditen si punonjës policie, siç ne e pamë, siç ne e pamë dhe së bashku me Drejtorin vizituam ata, ku të them të drejtën ishte diçka e parehatshme.

Pyetje: Ata që pas një ore pamë që ishin në terren, zoti ministër?

Ministri Lamallari: Jo, unë e pashë vetë atje një punonjës policie, i cili pasi ishte nënshtruar ekzaminimit mjekësor, përmes skanerëve nga ekipi mjekësor, me çarje të theksuar në kokë dhe një tjetër person.

Pyetje: Po pamjet?

Ministri Lamallari: Unë i kam parë dhe video është e hedhur dhe në rrjetet e mia sociale, mund ta verifikoni këtë. E sigurisht duke i uruar shërim të shpejtë kolegëve, jo vetëm atyre që unë vizitova, por edhe kolegëve të tij, të cilët kanë dhe familjarë, të cilët ishin të shqetësuar. Nga ana tjetër një fakt tjetër, ishin dhe kolegët tuaj gazetarë, të cilët ndonëse u pretendua se ishin dhunuar nga Policia, faktet janë komplet ndryshe. Kishim më herët një thirrje të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, të cilët i bënin thirrje Policisë së Shtetit për të garantuar gazetarët, në kryerjen e detyrës së tyre dhe pamjet më vonë, që u administruan dhe nga ana jonë, ishin pamje ku gazetarë, kolegët tuaj në fakt u konfrontuan me protestues, të cilët donin të merrnin mikrofonet prej tyre dhe për më tepër kishte dhe shtyrje të tyre.

Pyetje: Zoti ministër, po protestues të dhunuar a ka patur? Sepse ju flisni për episode dhune vetëm karshi punonjësve të medias që, patjetër, dhe ne i dënojmë po ashtu edhe të punonjësve të Policisë. Po protestues?

Ministri Lamallari: Policia e Shtetit është një organ ligjzbatues dhe në neutralizimin e situatave dhe eskalimin e tyre, sigurisht duhet të ushtrojë atributet që jep ligji, për të mos lejuar përshkallëzim të tyre. Kështu që, pa dyshim kurdoherë që janë konstatuar dhe janë dokumentuar dhe me video, me pamje të hedhura tashmë dhe në rrjetet sociale dhe në mediat kombëtare, ku protestues të quajtur paqësorë, të pretenduar të tillë dhe nga deputetë të opozitës, në fakt, ishte shumë e qartë që ata po dhunonin punonjësit e Policisë, me gurë dhe sende të forta, po intimidonin deputetët e Parlamentit shqiptar për t'u futur në ambientet ku ato janë zgjedhur për të ushtruar detyrën e tyre, si dhe po dhunonin dhe gazetarë. Nuk po flas për mjetet e Policisë, të cilat u panë qartë që u shkatërruan nga protestues, të ashtuquajtur paqësorë, por që unë nuk mendoj se ata mund të quhen protestues. Ata nuk kanë të bëjnë fare me protestën. Një grup, një grusht personash, të cilët me gurë në duar dhunojnë punonjësit e zbatimit të ligjit, çdo punonjës tjetër që kalon aty pranë dhe dëmtojnë pasurinë publike, në fakt nuk janë protestues. Ata janë thjesht vandalë.

EMISIONET