Apeli lë në burg ish-kryebashkiakun Lefter Alla, shpresat te rekursi në Gjykatë të Lartë
Gjykata e Posaçme e Apelit refuzoi kërkesën e Lefter Allës për lirim nga qelia. Togat e zeza vendosën të lënë në fuqi masën e arrestit me burg, ndërsa avokati i tij e cilësoi vendimin të paligjshëm. Ai tha se do të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë.
Gjykata e Posaccme e Apelit la në fuqi masën e arrestit me burg pa afat për ish-kryebashkiakun e Bulqizës, Lefter Alla.
Ky i fundit kërkoi lirimin nga qelia, pasi ndodhet në ambjetet e spitalit ku është dërguar për shkak të komplikacioneve shëndetësore.
Avokati Hysni Demiraj paralajmëroi se vendimi ndaj klientit të tij është është i pabazuar në ligj, prandaj do ti dërgohet me rekurs Gjykatës së Lartë.
Dëmiraj i bëri thirrje gjykatës ta shikojë dosjen me lupë.
"I bëj thirrje publike asaj gjykatë ti shohë me lupë vendimet e këtyre gjykatave sepse për mua po shkasin në paligjshmëri të frikshme."
Sipas avokatit, dispozita mbi të cilën prokuroria e ka ngritur akuzën ndaj Lefter Allës është rënduese, edhe pse ai duhet të përfitojë nga ndryshimet në legjislacion.
"Nul lejon që një qytetari shqiptar ti vendoset si akuzë ajo çfarë nuk ka qenë e miratuar në kohën e kryerjes së veprës penale. Dispozita nga 1-5 vjet burg është bërë që të bahet në burg në mënyrë antikushteturse qytetari Lefter Alla".
Ish-kryebashkiaku socialist i Bulqizës ra në pranga në mesin e muajit mars bashkë me 12 persona të tjerë, zyrtarë të institucionit dhe përfaqësues të biznesit të akuzuar për abuzime në bashkëpunim në tenderin për “Ndërtimin e rrjetit furnizimit dhe rrjetit shpërndarës të Ujësjellësit, Lagja e vjetër, Bulqizë".
Përveç shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tendera, ndaj disa prej anëtarëve të grupit rëndojnë edhe akuzat e “Falsifikimit të dokumentave” apo “Falsifikim i formularëve".
Alla së bashku me zyrtarë të tjerë përgjegjës të Bashkisë, sipas SPAK, kanë krijuar avantazhe gjatë procedurës së prokurimit në mënyrë që punimet ti kryente kompania e shtetasit Aqif Konesha, i njohur si mik i kryebashkiakut Lefter Alla.
VENDIMI I APELIT
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Saida Dollani, sot më datë 14.04.2023, zhvilloi seancë gjyqësore për çështjen penale nr. 10 akti, datë 07.04.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim K.Z., R.K., D.G., R.D., L.A., E.Ll., A.K., E.I., A.Gj. A.N., ndaj vendimit nr. nr. 21, datë 14.03.2023 (mbi caktimin e masave të sigurimit personal) dhe vendimit nr. 24, datë 18.03.2023 (mbi vazhdimin e zbatimit të masave të sigurimit personal) të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
- Miratimin e vendimeve nr. 21, datë 14.03.2023 dhe nr. 24, datë 18.03.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për pjesën e ankimuar nga të hetuarit K.Z., R.K., D.G., R.D., L.A., E.Ll., A.K., A.Gj, A.N.
- Mospranimin e ankimit të paraqitur nga i hetuari E.I. ndaj vendimeve nr. 21, datë 14.03.2023 dhe nr. 24, datë 18.03.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.