Ambientalistët akuza Veliajt: E ka bërë Tiranën të pajetueshme, asgjesoi parqet e mbolli kulla
Një grup ambientalistësh akuzuan në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, Erion Veliaj, për shkatërrim të Tiranës. Ata thanë se Kryebashkiaku ka asgjësuar hapësirat e gjelbra dhe i ka zëvendësuar ato me ndërtesa shumëkatëshe.
Me protestë e kujtuan Ditën Ndërkombëtare të Tokës një grup ambientalistësh në Tiranë.
Para Bashkisë, akuzuan Erion Veliaj se ka zhdukur hapësirat e gjelbra dhe në vend të tyre ka dhënë leje për ndërtimin e kullave shumëkatëshe.
"Një qytet ku fëmija nuk ka ku luan, ku plaku nuk ka ku rri, ku zonjat nuk kanë ku pushojnë.I bëjmë thirrje qeverisë t'u sigurojë qytetarëve të vet një jetë ekologjikisht të pastër."
Sazan Guri tha Veliaj ka rritur taksat për qytetarët por nuk është kujdesur që të investojë për ta. Kryeqyteti, sipas tij, po bëhet i pajetueshëm.
"Janë me miliona metër katrorë që vazhdojnë të ndërtohen ende ku nuk ka një parking vertikal. Ka zhdukur hapësirat e gjelbërta. E mori ujin me 13.5 orë në ditë dhe e ka çuar në 9.5 orë në ditë, e mori taksën me 5 mijë lekë të vjetra në ditë dhe e ka çuar me 25 mijë lekë në ditë. Akoma vazhdon Lana të jetë me urinë."
Jo vetëm Bashkisë por edhe Qeverisë i bën thirrje për politika në mbrojtje të mjedisit.
"Bashkia Tiranë është në pararojë të gjithë lëvizjes që ka të bëjë me shkatërrimin e mjedisit, zënien e hapësirave publike."
Dita e Tokës është vendosur në datën 22 prill të vitin 1970, dashamirës të mjedisit në këtë ditë organizojnë aktivitete në mbrojtje të natyrës, aktivitete që në Shqipëri munguan këtë vit.