Panik në metronë e Stambollit/ Treni del nga shinat pranë Bostancit, pasagjerët evakuohen duke ecur nëpër tunel (VIDEO)

Panik në metronë e Stambollit/ Treni del nga shinat pranë

Një incident është regjistruar pasditen e së premtes në Stamboll, ku një tren i metrosë doli nga shinat pranë stacionit Bostanci, duke shkaktuar panik te pasagjerët.

Sipas mediave turke, ngjarja ndodhi në linjën M4, e cila lidh zonën e Kadıkoy me Aeroportin Sabiha Gökçen. Si pasojë e incidentit, tre persona mbetën të plagosur dhe u dërguan në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Pas ndalimit të trenit, pasagjerët u evakuuan dhe dolën nga vagonët duke ecur nëpër tunel drejt stacionit më të afërt. Në vendngjarje mbërritën ekipet e emergjencës, zjarrfikësit dhe specialistët e metrosë për të menaxhuar situatën.

Nga të dhënat e para, dyshohet se shkak i daljes së trenit nga shinat ka qenë një defekt teknik në mekanizmin e ndërrimit të shinave.

Për shkak të problemit, qarkullimi në linjën M4 është kufizuar përkohësisht. Shërbimi po kryhet vetëm në segmentin mes stacioneve Maltepe dhe Aeroportit Sabiha Gökçen, ndërsa ekipet teknike po punojnë për rikthimin e plotë të funksionimit të linjës.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar me saktësi shkaqet e incidentit.

EMISIONET