29 Nëntori: Presidenti e ambasadorët homazhe. Komunistët zhgënjehen nga Rama: I vuri traun Kosovës
Edhe këtë përvjetor të çlirimit, politika u shfaq e ndarë. Drejtuesit e shtetit kryen homazhe te Varrezat e Dëshmorëve. Kryeministri Rama mungoi, ndërsa ish presidenti Meta nderoi në një ceremoni më vete, të rënët. Partia Demokratike nuk e njeh 29 Nëntorin si datë çlirimi.
Drejtuesit më të lartë të shtetit, kryen homazhe këtë të martë, 29 Nentor, në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, për Ditën e Çlirimit të Shqipërisë.
Në ceremoni ishin Presidenti Bajram Begaj, Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë.
Kryeministri Edi Rama nuk ishte i pranishëm, në kremtimet për Ditën e Çlirimit.
Ndërsa ish presidenti Meta, homazhet i kreu më vete.
Në këtë 78-vjetor të çlirimit, nuk munguan nostalgjikët e Enver Hoxhës. Ata u rishfaqën në varrezat e "Dëshmorëve të Kombit", me parrullat e dikurshme “Rroftë Partia Komuniste” dhe me fotot e ish-diktatorit.
Me grushtin lart parakaluan edhe në Shkodër. I thuren lavde regjimit dhe kritikuan Ramën për politika antikombëtare.
Veteranët:“ Sot janë braktisur prindërit nga fëmijët, fëmijët nga prindërit, braktisje në të gjithë vendin. Pse? Ekonomija arriti në mjerim brezi i ri s’ka hapësira fare, dhe iku mori mërgatën.
Me ne pensionistët, nuk po merret njeri, por megjithatë ne shyqyr kemi fëmijët që na gjenden pranë.
Dhe kryeministri thotë: Fitore e madhe që u bashkua parlamenti.
Si qënka fitore e madhe? Ata parlamentarë që erdhën nga Kosova, kaluan të gjithë kolon për një, tek trau që ka vënë Republika e Shqipërisë për vëllezërit tanë të Kosovës. Ne jo vetëm në krahun tonë por duhet të ishim dhe në krahun e Euleksit. Këta njohin vetëm partin e dollarit dhe të euros”
Të djathtët që nuk e njohin 29 Nëntorin si Ditë Çlirimi, edhe këtë vit nuk u dukën në Varrezat e Dëshmorëve, pasi kremtimet i zhvillojnë bashë me 28 Nëntorin e pavarësisë.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.



