ZYRTARE/ Eliminimi sjell largimin, ndryshime te Portugalia

Portugalia ka mbyllur rrugëtimin e saj në Botëror pas humbjes 1-0 ndaj Spanjës në fazën e 1/8-ve, por eliminimi nuk ka sjellë vetëm fundin e aventurës në turne. Ai ka shënuar edhe fundin e një cikli në stolin e përfaqësueses portugeze.
Menjëherë pas ndeshjes, Roberto Martinez bëri të ditur se periudha e tij si trajner i Portugalisë ka përfunduar. Tekniku spanjoll deklaroi se kontrata e tij nuk do të rinovohet dhe se kombëtarja ka nevojë për një fillim të ri. Në prononcimin e tij pas eliminimit, Martinez theksoi se është momenti që Federata Portugeze e Futbollit të zgjedhë një trajner tjetër dhe një drejtim të ri për ekipin.
Largimi i Martinez vjen pas një periudhe në të cilën Portugalia kishte në dispozicion një nga grupet më cilësore të futbollistëve. Në skuadër bënin pjesë emra si Bruno Fernandes, Bernardo Silva, Rafael Leao, Vitinha, Joao Neves, Pedro Neto, Joao Cancelo dhe Cristiano Ronaldo. Megjithatë, rezultatet në turnetë madhorë nuk arritën të përmbushnin pritshmëritë.
Në Euro 2024, Portugalia u ndal në fazën çerekfinale, ndërsa në Botërori rrugëtimi përfundoi që në 1/8-at. Këto rezultate shtuan kritikat ndaj Martinez, i cili u akuzua shpesh për zgjedhjet taktike, menaxhimin e ndeshjeve vendimtare dhe mënyrën e aktivizimit të lojtarëve kryesorë.
Federata Portugeze kishte nisur prej kohësh të shqyrtonte skenarë të ndryshëm për të ardhmen e pankinës. Thuhet se objektivi minimal për Martinez ishte arritja të paktën në gjysmëfinale të Botërorit. Eliminimi në fazën e 1/8-ve ndaj Spanjës e bëri të pashmangshëm ndryshimin në drejtimin teknik.
Ndërkohë, emri që po përmendet më shumë për të marrë drejtimin e Portugalisë është Jorge Jesus. Trajneri portugez, i cili së fundmi ishte në krye të Al-Nasr, konsiderohet favorit për postin. Përvoja e tij dhe njohja me shumë futbollistë portugezë shihen si elementë që mund të lehtësojnë tranzicionin drejt një epoke të re.
Një detaj i rëndësishëm është fakti se Hezus ka punuar edhe me Kristiano Ronaldon te Al-Nasr. Kjo mund të ndikojë në menaxhimin e fazës së ardhshme të kombëtares, sidomos nëse Ronaldo vazhdon të mbetet pjesë e projektit për kompeticionet e ardhshme.
Largimi i Martinez dhe mundësia e ardhjes së Jesus hapin një kapitull të ri për Portugalinë. Kombëtarja portugeze vazhdon të ketë në dispozicion një brez futbollistësh me cilësi të lartë dhe objektivi tani është ndërtimi i një projekti që mund ta kthejë ekipin në nivelet më të larta të futbollit ndërkombëtar.


