ZANIOLO NË QENDËR TË MERKATOS/ Udinese kërkon 15 milionë euro për sulmuesin
Nicolò Zaniolo mund të largohet nga Udinese vetëm pak ditë pas transferimit përfundimtar nga Galatasaray. Juventusi, Como dhe Lazio janë klubet që po ndjekin me interes situatën e sulmuesit italian.

Nikolò Zaniolo është shndërruar në një nga emrat më të përfolur të merkatos verore në Itali, vetëm pak ditë pasi Udinese zyrtarizoi blerjen e tij përfundimtare nga Galatasaray. Sulmuesi 27-vjeçar, i cili zhvilloi një sezon pozitiv në Udine, mund të largohet menjëherë nga klubi për shkak të mosmarrëveshjeve që lidhen me aspektin kontraktual dhe pagën.
Më 15 qershor, Udinese bleu kartonin e Zaniolos për rreth 5 milionë euro, ndërsa Galatasaray ruajti 50 për qind të vlerës së një shitjeje të ardhshme. Megjithatë, ajo që dukej si vazhdimësi e një bashkëpunimi të suksesshëm është kthyer në një çështje merkatoje, pasi rrethi i lojtarit ka shprehur pakënaqësi për kushtet e ofruara.
Pas një sezoni me 5 gola dhe 5 asistime në 31 ndeshje nën drejtimin e Kosta Runjaic, Zaniolo mbetet një nga lojtarët më të kërkuar në Serie A. Udinese ka vendosur çmimin e kartonit të tij në 15 milionë euro, shifër që ka tërhequr interesin e disa klubeve të mëdha italiane.
Juventusi konsiderohet një nga pretendentët kryesorë për të siguruar shërbimet e sulmuesit. Drejtuesit bardhezi e shohin Zaniolon si një alternativë cilësore dhe më të përballueshme financiarisht krahasuar me objektiva të tjerë të merkatos. Për të ulur koston e transferimit, Juventusi po shqyrton mundësinë e përfshirjes së talentit të ri Vasilije Adzic në marrëveshje.
Megjithatë, konkurrenca është e fortë. Como, nën drejtimin e Cesc Fabregas, po monitoron situatën dhe është gati të investojë për të përforcuar skuadrën pas kualifikimit në arenën europiane.
Në garë është rikthyer edhe Lazio. Trajneri i ri Gennaro Gattuso vlerëson prej kohësh cilësitë fizike dhe teknike të ish-futbollistit të Romës. Edhe pse në të kaluarën Zaniolo kishte refuzuar mundësinë e kalimit te bardhekaltrit, situata aktuale konsiderohet më e hapur. Megjithatë, Lazio duhet fillimisht të realizojë disa shitje përpara se të paraqesë një ofertë konkrete.
