Premtimi i Artetës merr jetë/ Arsenali futet në garë për transferimin e Vinicius Jr

Premtimi i Artetës merr jetë/ Arsenali futet në garë

Arsenali po përgatit një lëvizje të bujshme në merkaton e verës, ndërsa emri i Vinicius Jr është shfaqur në krye të listës së dëshirave të "Topçinjve". Interesimi për yllin e Real Madridit lidhet ngushtë me një premtim që trajneri Mikel Arteta bëri në vitin 2024, kur deklaroi se klubi londinez duhet të garojë për çdo futbollist të nivelit më të lartë.

Situata kontraktuale e brazilianit ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të mëdha evropiane. Bisedimet për rinovimin me Real Madridin kanë ngecur dhe, me vetëm një vit të mbetur në kontratë, e ardhmja e Viniciusit mbetet e paqartë.

Arsenali e vlerëson jashtëzakonisht 26-vjeçarin dhe po monitoron nga afër zhvillimet, duke qenë gati të hyjë në lojë nëse Real Madridi vendos ta lejojë largimin e tij gjatë kësaj vere.

Ky interes nuk është rastësi. Dy vite më parë, Arteta kishte qenë i qartë për ambiciet e klubit.

"Nëse duam të jemi skuadra më e mirë, atëherë duhet të kemi lojtarët më të mirë. Kur një futbollist i atij niveli është në treg, Arsenali duhet të jetë gjithmonë pjesë e garës", ishte deklarata e teknikut spanjoll.

Fjalët e tij janë rikthyer në qendër të vëmendjes, ndërsa spekulimet për një transferim të mundshëm të Vinicius Jr po shtohen çdo ditë.

Megjithatë, deri në këtë moment nuk ka asnjë ofertë zyrtare nga Arsenali. Sipas raportimeve nga Spanja, klubi londinez nuk ka zhvilluar ende kontakte direkte me përfaqësuesit e brazilianit, i cili vazhdon ta ketë prioritet qëndrimin te Real Madridi, nëse palët arrijnë një marrëveshje për rinovimin e kontratës.

Gjithsesi, fakti që Arsenali po lidhet me një emër të kalibrit të Vinicius Jr tregon qartë ambiciet e klubit për të konkurruar në nivelet më të larta të futbollit evropian.

EMISIONET