Arifi: Pa mbështetjen e SHBA-së, Kosova nuk mund të anëtarësohet në NATO

Analisti i çështjeve politike, Dritëro Arifi, ka deklaruar se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është vendimtar për anëtarësimin e Kosovës në NATO, duke theksuar se pa një mbështetje të qartë nga Uashingtoni, ky proces nuk mund të realizohet.
Duke folur në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, Arifi tha se edhe një ushtri me kapacitete të larta ushtarake nuk do të ishte e mjaftueshme për anëtarësimin në Aleancën Veriatlantike, nëse mungon mbështetja politike e SHBA-së.
“Pa thënë ShBA-ja ‘po’, edhe nëse ne do ta kishim ushtrinë e Francës apo Gjermanisë me përgatitje të lartë, ne nuk mund të bëhemi anëtar i NATO-s”, deklaroi Arifi.
Sipas tij, procesi i anëtarësimit në NATO nuk lidhet vetëm me përgatitjet ushtarake, por edhe me vendimet politike të vendeve anëtare të Aleancës, ku ndikimi i Shteteve të Bashkuara mbetet një faktor kryesor.
“Pa thënë ShBA-ja ‘po’, asnjëherë nuk bëhesh anëtar i NATO-s. Edhe nëse ka pengesa politike, ato mund të zgjidhen. Por kur nuk e kemi një ‘PO’ të madhe të Amerikës, imagjino çfarë thonë shtetet që nuk e njohin Kosovën brenda NATO-s”, u shpreh ai.
Deklaratat e Arifit vijnë në një kohë kur Kosova vazhdon përpjekjet për integrim në strukturat euroatlantike, ndërsa mbështetja e aleatëve ndërkombëtarë konsiderohet një element kyç në këtë proces.


