“Në qoftë se do të fitosh, duhet të guxosh”/ Patushi “ndez” kuqezinjtë: Shqipëria dhe Polonia janë në të njëjtën pjatë

Në prag të sfidës së radhës për Kombëtaren Shqiptare, debati përqendrohet te forca e kundërshtarit, me Poloninë që shihet si një pengesë e vështirë.

Megjithatë, sipas ish-futbollistit Saimir Patushi, fokusi duhet të jetë krejtësisht tjetërkund.

Për “Ora Neës”, Patushi argumenton se suksesi nuk varet nga emri i ekipit përballë, por nga aftësia e kuqezinjve për të shfrytëzuar potencialin e tyre maksimal.

Sipas tij, çelësi i fitores qëndron te grupi aktual i lojtarëve që ka në dispozicion trajneri.

“Nuk duhet llogaritur kundërshtari. Kundërshtari sado i fortë mund të jetë në letër, unë do marr aktorët dhe lojtarët që kam në përbërje dhe t'u marr maksimumin atyre,” theksoi ai.

Pavarësisht disa shqetësimeve, si dëmtimi i kapitenit apo mungesa e minutazhit për disa lojtarë, analisti beson se pjesa më e madhe e ekipit është në formë optimale dhe gati për ndeshjen.

Ai shtoi se lojtarët shqiptarë nuk duhet të ndihen inferiorë ndaj Polonisë, Ukrainës apo Suedisë, pasi në letër i konsideron si të barabartë.

Duke analizuar krahasimin direkt me Poloninë, e cila konsiderohet se e ka kaluar krizën e saj të fundit, Patushi pranon se ekipet ndryshojnë nga njëri sezon në tjetrin.

Polonia mund të paraqitet më e fortë për sa i përket elementëve cilësorë, por kjo nuk e ndryshon thelbin e çështjes.

Sipas tij, përveç një lojtari të kalibrit të Levandovskit te Barcelona, pjesa tjetër e ekipeve është e krahasueshme, pasi edhe lojtarët kuqezi aktivizohen në klube të mëdha evropiane si Inter, Napoli apo Atalanta.

“Unë besoj që të gjithë ekipet dhe lojtarët që përbëjnë si Poloninë, ashtu edhe Shqipërinë, janë në të njëjtën pjatë,” ishte metafora e përdorur prej tij për të treguar nivelin e ngjashëm.

Lidhur me skemën taktike që pritet të përdorë trajneri Sylvinho, analisti shprehet se tekniku brazilian ka një ide të qartë dhe fikse, pavarësisht opinioneve të jashtme.

Plani i tij është i studiuar në detaje dhe përshtatur kundërshtarit. Në fund, mesazhi i tij është i qartë dhe i prerë: fitorja kërkon kurajë.

“Në qoftë se do të fitosh, duhet të guxosh,” përfundoi ai, duke bërë thirrje për një qasje të guximshme nga ana e Kombëtares.

INTERVISTA

Polonia është një kundërshtar më i vështirë se sa Ukraina ose Suedia nëse na bie të përballemi, pra që ta kalojmë këtë sfidë?

Patushi: Në qoftë se do të fitosh, unë besoj që duhet llogaritur grupi aktual që ne kemi në përbërje. Nuk duhet llogaritur kundërshtari. Kundërshtari sado i fortë mund të jetë në letër apo sado i dobët mund të jetë në letër, unë do marr aktorët dhe lojtarët që kam në përbërje dhe t'u marr maksimumin atyre.

Për hir të së vërtetës, unë besoj që një pjesë e mirë e lojtarëve po marrin maksimumin në ekipet përkatëse, pavarësisht se nga kapiteni që vjen i dëmtuar dhe disa lojtarë të tjerë që nuk kanë minutat nëpër këmbë.

Unë besoj që çdokush tjetër ka marrë maksimumin dhe është në formë optimale për këtë ndeshje. Gjithsesi, unë uroj që djemtë nuk besoj që ata ndihen inferior nga Polonia apo nga Ukraina apo nga Suedia. Besoj që janë të barabartë, unë në letër i shikoj të barabartë dhe nuk ka pse të ndihen inferior.

Por Polonia, mos harrojmë nuk është e njëjta me atë që jemi përballur në sfidën e fundit. Pra, e ka tejkaluar tashmë edhe krizën. Kështu që, si e vlerësoni nivelin e dy kombëtareve?

Patushi: Sezoni sezonit nuk i ngjan. Edhe ekipet e grumbulluara, si çdo herë tjetër, Shqipëria mund të jetë pak e cunguar, ekipi i Polonia mund të jetë pak më e fryrë nga elementët cilësorë që ka, por gjithsesi mos harro dhe diçka tjetër. Kryesorja është adoptimi i këtyre djemve që misteri do t'ju bëjë, pavarësisht se muskujt e, siç e tha edhe trajneri Sylvinho, muskujt e Polonisë dihen se pse ka lojtarë cilësorë. Por mos harrojmë dhe diçka tjetër. Tani, i gjithë ekipi kombëtar luan në ekipe që mund të themi në Europë spikasin dhe unë nuk besoj që përveç Levandovskit që është Barcelona, ekipet e tjera ne i kemi prekur dhe të gjithë lojtarët shqiptarë luajnë dhe nuk është se ka ndonjë dallim të madh Interi me Napolin apo Interi me Atalantën. Unë besoj që të gjithë ekipet dhe lojtarët që përbëjnë si Polonia, ashtu edhe Shqipëria, janë në të njëjtën pjatë.

Po skema që ju mendoni që trajneri do përdori në këtë sfidë, do të jetë ndoshta pak më shumë sulmuese, më shumë tek mbrojtja, si e mendoni?

Patushi: Tani për çfarë ne kemi parë, Sylvinho nuk është se se na dëgjon shumë ne apo gazetarëve apo specialistët. Ai ka gjithmonë një, ka, ka një ide të qartë ose fikse në kokë që ai e ka të mirëqenë se çfarë, sesi, edhe se qysh. E ka studiuar kundërshtarin dhe se si do luhet. Unë besoj që në qoftë se do të fitosh, duhet të guxosh.

EMISIONET