Mesi ''skanon'' Vllazninë: Ekipi bëri gabim që shkarkoi trajnerin Osmani në momentin më vendimtar
Gazetari Herion Mesi i ftuar në emisionin ''Ora Sport'' në Ora News u shpreh se Vllaznia bëri gabim që shkarkoi trajnerin Qatip Osmani.
“Vllaznia kaloi një sezon pozitiv, kishte rritje në nivel dhe këtë e tregon dhe fakti që arriti të ishte pjesë e "Final Four" për të luftuar për titullin.
Presidenti Xhaferri ka ndërtuar një skuadër solide, por që nuk është ende në nivelin e Egnatias, apo dhe Partizanit, sa i përket investimeve dhe stimulimeve të lojtarëve.
Sa i përket sezonit që sapo u mbyll, lajmi i mirë është që skuadra do të luajë për të katërtin vit radhazi në kompeticionet evropiane.
Dhe të mos harrojmë që po flasim për një ekip që 6 vite më parë preku fundin duke rënë nga kategoria elitare e futbollit shqiptar, gjë që nuk kishte ndodhur asnjëherë në historinë e këtij ekipi.
Gjithsesi, duke iu rikthyer sezonit, vlerësoj se Vllaznia gaboi në fundin e këtij sezoni duke shkarkuar trajnerin Qatip Osmani në momentin më vendimtar.
Edhe pse ai bëri një punë të mirë duke e renditur ekipin mes 4 më të mirëve, sërish u shkarkua pas humbjes në Kupën e Shqipërisë ndaj Egnatias.
Nëse synohet ndërtimi i një ekipi që të pretendojë trofe këto lëvizje janë pikërisht ato që e dëmtojnë grupin dhe lojtarët që ishin mësuar me skema të tjera”, u shpreh gazetari Herion Mesi.

