Dom Mark Pashkja: Të jesh prift do të thotë në radhë të parë të jesh njeri, Krishti pajtoi hyjnoren me njerëzoren

Dom Mark Pashkja: Të jesh prift do të thotë në radhë

Në një rrëfimi në emisionin "Drejt" në Ora News, zëdhënësi i Ipeshkvijve të Shqipërisë, Dom Mark Pashkja, ka udhëtuar përmes thelbit të thirrjes meshtarake, duke theksuar se të jesh prift sot do të thotë në radhë të parë të jetosh humanitetin dhe se besimi katolik nuk e ndan njerëzoren nga hyjnorja, por i bashkon ato në përditshmëri.

" Është një pyetje shumë interesante por në fakt edhe e drejtpërdrejtë dhe konkrete sepse të jesh prift sot, të jesh meshtar sot, për mua personalisht po besoj për të gjithë ato që e kanë zgjedhur këtë thirrje, në radhë të parë do të thotë të jesh njeri. Sepse shpesh herë të influencuar prej shumë rrymave, edhe të mendimit filozofik por edhe teologjike, kemi pas gjithmonë një tendencë që ta shkëpusim njerëzoren nga hyjnorja. Duke krijuar edhe në rrethin e kontekstin tonë kulturor shqiptar sikur hyjnorja dhe njerëzorja janë dy realitete të shkëputura që nuk takohen në përditshmërinë njërën me tjetrën. Në fakt unë jam një meshtar katolik, jam një prift katolik.

Është e njëjta gjë, është e njëjta gjë. Prift është koncepti prift është pak më shumë popullor në zhargonin e përditshëm, kurse ndoshta fjala meshtar është paksa më teologjike sepse lidhet drejtpërdrejt me atë që është profili jonë, shërbimi jonë i përditshëm që është mesha e shenjtë. Dhe në këtë aspekt, siç e thashë, për mua personalisht të jesh meshtar, të jesh prift, në radhë të parë do të thotë të jesh njeri, të jesh një njeri normal, të jesh një njeri i cili jeton humanitetin njerëzor si dhuratën më të madhe që Zoti i ka besuar qenies njerëzore.

Këtu qëndron edhe ajo madhështia dhe misteri i këtij realiteti. E thashë përpara, duhet të largojmë atë paragjykimin ku kemi një ndasi mes hyjnores dhe njerëzores. Në fakt këtu qëndron edhe revolucioni që krishtërimi i sjell botës. Sepse nëse i referohemi para ardhjes së Krishtit, botës greke, botën pagane, romake, të gjitha ato filozofitë e feve që karakterizoi para ardhjes së Krishtit, kishte një diferencë shumë të madhe mes dimensionit hyjnor, hyjnitë e Zotit që qëndronte atje i shkëputur, dhe njeriut që merrej me punët e zakonshme.

Në fakt Krishti në personin e vet mishëron në mënyrë unikale këto dy realitete. Ne besojmë që Krishti është njeri i vërtetë edhe Zot i vërtetë. Dhe automatikisht të jesh meshtar, të jesh prift sot, do të thotë që në jetën e përditshme të mishërosh, të jetosh në radhë të parë për vete por edhe për të tjerët, pajtimin e këtij dimensioni hyjnor për të cilin njeriu është i thirrur, por edhe demonstrimin e një humaniteti, një njerëzie të vërtetë e cila është në paqe me të vërtetën absolute që ka gjetur dhe e ka përqafuar. Për mua personalisht, të qenurit prift nuk është thjesht një zgjedhje, ashtu siç shpesh herë thuhet, ndoshta një zgjedhje personale apo profesionale. Sigurisht është një zgjedhje personale ndaj një të vërtete, ndaj një të vërtete absolute. Ky kërkim i imi personalisht ka gjetur kulmin në personin e Krishtit. Dhe këtë të vërtetë unë përpiqem ta jetoj çdo ditë e çdo moment", u shpreh Dom Mark Pashkja.

Ndiqni emisionin e plotë:

EMISIONET