“Mallkimi” apo tradita e Bayern Munich? / Prej 44 vitesh, çdo finale Botërori ka pasur të paktën një bavarez

“Mallkimi” apo tradita e Bayern Munich? / Prej 44 vitesh, çdo

Nëse historia e Kupës së Botës do të vazhdojë të përsëritet, atëherë skuadrat që synojnë finalen e Botërorit 2026 duhet të kenë patjetër në përbërje të paktën një futbollist të Bayern Munich.

Statistikat e turneut më prestigjioz të futbollit tregojnë një traditë të jashtëzakonshme: në 11 edicionet e fundit radhazi të Kupës së Botës, nga viti 1982 deri në vitin 2022, në finalen e madhe ka qenë gjithmonë i pranishëm të paktën një lojtar i skuadrës bavareze.

Gjithçka nisi në Botërorin e vitit 1982, kur Karl-Heinz Rummenigge, Paul Breitner dhe Wolfgang Dremmler përfaqësuan Gjermaninë Perëndimore në finale, edhe pse u mposhtën nga Italia. Katër vite më vonë, Rummenigge, Matthäus dhe Hoeness nuk arritën të ndalin Argjentinën e Diego Maradonës.

Në vitin 1990, Bayern festoi triumfin e parë në finale, pasi Augenthaler, Kohler dhe Reuter ndihmuan Gjermaninë të fitonte trofeun ndaj Argjentinës. Që nga ai moment, prania e bavarezëve në finalet e Botërorit është kthyer në një traditë të pandërprerë.

Nga Jorginho me Brazilin në vitin 1994, te Bixente Lizarazu me Francën në vitin 1998, e deri te Oliver Kahn dhe shokët e tij në vitin 2002, Bayern ka qenë gjithmonë i përfaqësuar në ndeshjen më të rëndësishme të futbollit botëror.

Kulmi arriti në Botërorin e vitit 2014, kur Gjermania fitoi trofeun me plot shtatë lojtarë të Bayern Munich në formacion, mes tyre Neuer, Lahm, Müller, Kroos dhe Mario Götze, autor i golit të fitores në finale.

Edhe në dy Botërorët e fundit, pavarësisht mungesës së Gjermanisë në finale, tradita vazhdoi. Corentin Tolisso triumfoi me Francën në vitin 2018, ndërsa Upamecano dhe Kingsley Coman luajtën finalen e vitit 2022.

Në Botërorin aktual, Bayern Munich vazhdon të dominojë me 18 futbollistë të shpërndarë në 10 kombëtare të ndryshme. Mes tyre spikasin Harry Kane me Anglinë dhe Michael Olise me Francën, ndërsa gjashtë lojtarë përfaqësojnë Gjermaninë.

Mbetet për t'u parë nëse kjo traditë e jashtëzakonshme do të vazhdojë edhe në finalen e Botërorit 2026.

EMISIONET