Lukaku drejt Milanos për të përqafuar qytetin por jo ngjyrat e preferuara

Në Angli e bëjnë të sigurt, Romelu Lukaku do të zhvendoset në Milano vetëm një vit pasi u largua në mënyrë të bujshme nga Interi me destinacion Chelsean për rreth 100 milionë euro. Gjigandi belg nuk ka gjetur pëlqimin e zikaltërve për t’u transferuar në Serie A por në skenë ka dalë Milani që syon ta bëjë numrin 9 tradhtarin e radhës në serinë e gjatë të lojtarëve që kanë ndryshuar krahun e qytetit.
Mediat britanike nuk e përjashtojnë si mundësi madje sipas tyre kjo është një hipotezë konkrete pasi ka pëlqimin e sulmuesit të dashuruar me qytetin e Milanos. Operacioni mund të kompletohet vetëm nëse kompania “Investcorp” do të blejë aksionet e shoqërisë kuqezi që për momentin i zotëron fondi “Elliot”.
Chelsea që po kalon një periudhë të komplikuar për shkak të problemeve të Roman Abramovich me qeverinë ishullore, kërkon ta shesë për një shifër jo më të vogël se 90 milionë ndërsa Milani mund ta konsiderojë këtë shumë por jo 12 milionë eurot që Lukaku përfiton në sezon.
Kuqezinjtë janë të gatshëm të ulen në tavolinë vetëm nëse numri 9 rishikon pagën pasi në këtë nivel është shumë e lartë edhe për një kompani të shëndetshme si “Investcorp”. Gjatë këtij sezoni Lukaku po përjeton momente negative me vetëm 13 gola të shënuar në të gjitha kompeticionet ndërsa javët e fundit edhe tifozët kanë dalë kundër bomberit belg.

