LAGJJA QË RRITI YAMAL-IN/ Rocafonda pret me krenari duelin e yllit të Spanjës me Mess-in dhe Yamal-in

Në lagjen Rocafonda, në periferi të Barcelonës, emocionet janë të mëdha përpara finales së Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës. Banorët e zonës ku u rrit Lamine Yamal e shohin yllin e kombëtares spanjolle si një simbol krenarie dhe frymëzimi për mijëra të rinj.
Kjo është fusha ku sulmuesi i Spanjës hodhi hapat e parë në futboll, në një lagje punëtore dhe shumëetnike, ku ëndrra e një fëmije u kthye në një histori suksesi botëror.
Sot, një mural me portretin e Yamalit zbukuron rrugët e Rocafondës, duke u shndërruar në një pikë frymëzimi për fëmijët e komunitetit dhe veçanërisht për të rinjtë me origjinë emigrante.
Banorët po presin me emocion përballjen e tij me Lionel Messin, një prej idhujve të mëdhenj të futbollit dhe lojtarin që Yamal e ka admiruar që në fëmijëri. Një fotografi e bërë vite më parë, ku Messi shfaqet duke mbajtur në krahë Yamalin foshnjë, ka rikthyer vëmendjen e tifozëve dhe ka krijuar një histori simbolike për duelin mes dy brezave.
“Është e pabesueshme që tani ata të dy do të luajnë përballë njëri-tjetrit”, u shpreh një 18-vjeçar nga komuniteti i Rocafondës, duke kujtuar admirimin që Yamal ka pasur gjithmonë për Messin.
Edhe familjarët e sulmuesit spanjoll nuk e fshehin krenarinë. Gjyshja e tij ka shprehur dëshirën që Spanja të triumfojë në finale, ndërsa ka thënë se do të festonte me gjithë zemër nëse nipi i saj do të shënonte.
Lamine Yamal, i lindur në Spanjë nga një baba maroken dhe një nënë nga Guinea Ekuatoriale, nuk i ka harruar rrënjët e tij. Pas çdo goli, ai feston me gjestin “304”, një referencë për kodin postar të Rocafondës.
Gjatë Kupës së Botës, ai ka mbajtur gjithashtu një shirit koke me emrin e lagjes së tij dhe ka vendosur në këpucë flamujt e vendeve të origjinës së prindërve, duke e cilësuar futbollin si një shembull të integrimit kulturor dhe shoqëror.
Për Rocafondën, finalja e Kupës së Botës nuk është vetëm një ndeshje futbolli. Është momenti kur një djalë i rritur në rrugët e saj përballet me një nga legjendat më të mëdha të këtij sporti.

