‘Kur nuk merr asnjë lajm nga klubi...’, mesfushori danez paralajmëron largimin nga ‘Djajtë e Kuq’

Christian Eriksen, mesfushor i Manchester United, ka deklaruar se është "gati të gjejë diçka të re" kur t'i skadojë kontrata, që do të ndodhë këtë verë.
Duke folur për kanalin danez TV2, 33-vjeçari ka zbuluar se bisedimet për një vazhdim të mundshëm të kontratës me klubin nuk kanë nisur ende.
"Cila do të jetë e ardhmja ime? Nuk është diçka që e kam vendosur," ka thënë Eriksen, duke theksuar mungesën e komunikimeve nga Manchester United.
"Kur nuk marr asnjë lajm, supozoj se bashkëpunimi do të ndërpritet," ka shtuar ai, duke theksuar se të gjithë janë të vetëdijshëm për skadimin e kontratës së tij.
Eriksen, ish-mesfushor i Interit, kaloi tek Man. United në vitin 2022 si lojtar i lirë dhe tani duket i gatshëm të eksplorojë mundësi të reja.
Ndërkohë që karrierës së tij në ‘Old Trafford’ po i vjen fundi, lojtari po përgatitet të përballet me një të ardhme të pasigurt, por plot mundësi.
Situata aktuale lë të kuptohet mundësinë e një ndryshimi të rëndësishëm, si për Eriksen, ashtu edhe për Manchester United.
Megjithatë, duhet kujtuar se lojtari nuk do të mund të rikthehet për të luajtur në Serinë A për shkak të problemeve të tij kardiake të përjetuara gjatë Euro2020.

